Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Osum në fshatin Leshnjë të Bashkisë Korçë, duke sjellë dëme të konsiderueshme në banesa, bujqësi dhe blegtori.
Banorët raportojnë se uji ka depërtuar me shpejtësi në disa godina dhe stalla, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe bagëtisë. Adriatik Ropi tregon se ujërat kanë hyrë brenda stallës së tij, duke vënë në rrezik çobanin që ndodhej në punë dhe duke shkaktuar ngordhjen e rreth 50 deleve.
Të dëmtuar nga dalja e lumit Osum janë edhe banorët Robert Ropi dhe Përparim Nako, të cilët raportojnë dëme si në banesat e tyre, ashtu edhe në mjediset bujqësore dhe blegtorale.
Fshati Leshnjë, pjesë e njësisë administrative Vithkuq, është një zonë që mbështetet kryesisht në blegtori, çka e bën goditjen nga përmbytjet edhe më të rëndë për familjet që jetojnë aty.
Autoritetet vendore ndodhen në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të mbështetur banorët e prekur.


