Monedha dixhitale Bitcoin ka rënë në nivelin më të ulët të shtatë muajve të fundit këtë të premte, duke shënuar një javë dramatike për tregjet e kriptovalutave. Vlera e saj zbriti deri në 80,600 dollarë, përpara se të rikuperonte pjesërisht humbjet dhe të mbyllej në rreth 84,500 dollarë.
Ky rënie e mprehtë ka fshirë të gjitha fitimet e vitit 2025, duke e ulur Bitcoin-in me rreth 30% nga rekordi i arritur në tetor, kur çmimi kaloi 120,000 dollarë. Sipas të dhënave të tregut, që prej fillimit të tetorit janë zhdukur mbi 1 trilion dollarë nga kapitalizimi total i tregut të kriptomonedhave.
Analistët e lidhin këtë kolaps me likuidimet e detyruara, uljen e likuiditetit dhe dobësimin e oreksit për rrezik, faktorë që kanë dëmtuar rëndë kushtet e tregtimit. Vetëm gjatë dy valëve më të mëdha të shitjeve janë likuiduar pozicione me levë në vlerë mbi 21 miliardë dollarë, duke tronditur gjithë tregun.
Disa platforma regjistruan për pak minuta një defekt teknik në çmim, që e uli vlerën e Bitcoin-it nën kufirin e 81 mijë dollarëve, përpara se tregu të stabilizohej.
“Ajo që po ndodh me Bitcoin është pasojë e drejtpërdrejtë e shitjes masive të tetorit,” – tha Armando Aguilar, drejtues i departamentit të formimit të kapitalit në kompaninë TeraHash. “Tregu ndjehet shumë i paqëndrueshëm.”
Shtimi i presionit për shitje ndodhi pasi një investitor i madh (whale) shiti rreth 1.3 miliardë dollarë Bitcoin në fund të tetorit dhe likuidoi pjesën e mbetur këtë javë, duke rritur shqetësimet për shitës të tjerë potencialë.
“Sentimenti në treg është jashtëzakonisht i dobët. Duket se ka ende shitës të detyruar dhe nuk dihet sa thellë mund të shkojë kjo,” – u shpreh Pratik Kala, menaxher portofoli në Apollo Crypto.
Edhe rrjedhjet institucionale kanë ndikuar ndjeshëm në rënie. Fondet ETF të Bitcoin-it kanë regjistruar dalje të mëdha kapitali, përfshirë tërheqje rekord nga IBIT i BlackRock, ndërsa fondet e listuara në Hong Kong kanë humbur rreth 7% të vlerës.
Sipas ekspertëve, këto lëvizje reflektojnë rritjen e kujdesit ndaj rrezikut, jo domosdoshmërisht një refuzim të kriptomonedhave, por pasojat kanë qenë të ndjeshme për likuiditetin në treg.
Me volatilitetin në rritje dhe besimin në nivelet më të ulëta prej muajsh, tregtarët po ndjekin me vëmendje nëse Bitcoin do të arrijë të mbajë nivelin mbështetës midis 80 dhe 85 mijë dollarëve, apo nëse rënia mund të thellohet në javët në vijim.


