Lamallari në Fier me drejtuesit e burgjeve: Forconi sigurinë dhe zbatoni ligjin me përpikmëri

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi këtë të premte një vizitë inspektuese në IEVP Fier, ku mbajti një takim të gjerë me të gjithë drejtorët e institucioneve të vuajtjes së dënimit në vend. Takimi kishte për qëllim vlerësimin e ecurisë së punës në sistemin penitenciar dhe forcimin e masave për sigurinë, standardet dhe trajtimin e të dënuarve.

Në fjalën e tij, Lamallari theksoi se buxheti i ri i Ministrisë së Drejtësisë do të sjellë indeksim të pagave për gjithë punonjësit e sistemit të burgjeve, si dhe rritje page për personelin shëndetësor. Sipas tij, mjekët do të përfitojnë +12,000 lekë, ndërsa infermierët +55,000 lekë. “Për shkak të natyrës së vështirë të punës së tyre, vëmendja ndaj stafit të burgjeve nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë,” – u shpreh ministri.

Lamallari kërkoi angazhim maksimal për ruajtjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme në institucionet e vuajtjes së dënimit. Ai e cilësoi sistemin e burgjeve si një shtyllë thelbësore të drejtësisë, që duhet të funksionojë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbyllja e burgut të Bënçës në Tepelenë, një vendim që Lamallari e konsideroi të domosdoshëm për shkak të kushteve të papranueshme. “Vendimmarrja ishte e fortë, por e drejtë,” – tha ai, duke kujtuar se Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës kishte rekomanduar mbylljen e këtij institucioni për mungesë të standardeve minimale të sigurisë dhe trajtimit.

Ministri siguroi se punonjësve të IEVP Bënçë u është garantuar vazhdimi i punës në institucione të tjera, kryesisht në Fier, me transport falas të siguruar nga Ministria.

Në vijim, Lamallari foli për masterplanin e ri të burgjeve, që synon një transformim të plotë të sistemit përmes investimeve në infrastrukturë, teknologji dhe programe rehabilituese. Ai përmendi edhe takimin me ministrin italian të Drejtësisë, Carlo Nordio, nga i cili ka kërkuar mbështetje për projektet teknologjike dhe për trajnimet profesionale të stafit.

“Ne duhet të kemi një sistem të burgjeve që reflekton standardet dhe vlerat e BE-së. Garantimi i sigurisë dhe zbatimi besnik i ligjit janë prioritet absolut,” – përfundoi ministri Lamallari.

Ndaj Postimin: