Një operacion i gjerë ndërkombëtar i Eurojust, i zhvilluar në gjashtë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e disa personave dhe në kontrollin e mbi 125 ambienteve, me qëllim sekuestrimin e rreth 3 000 objekteve kulturore me një vlerë të vlerësuar mbi 100 milionë euro.
Sipas burimeve zyrtare, grupi kriminal, i përbërë nga 35 persona dhe i drejtuar nga shtetas bullgarë, dyshohet se ka kryer vjedhje të artefakteve dhe objekteve arkeologjike në disa vende të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Hetimet, që po koordinohen nga SPAK, kanë për qëllim identifikimin e personave shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe lokalizimin e bazave të fshehta ku ruheshin objektet përpara trafikimit të tyre drejt Bullgarisë.
Operacioni aktual është rezultat i një procesi hetimor pesëvjeçar, i cili nisi në vitin 2020, kur autoritetet bullgare zbuluan një koleksion me 7 000 objekte kulturore në një shtëpi private. Koleksioni përfshinte maska, bizhuteri, armë antike, kupa dhe vazo që datojnë deri në vitin 2000 para Krishtit, të lidhura me qytetërimet trake dhe greko-romake.
Hetuesit zbuluan se grupi kriminal kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të ligjëruar pronësinë e objekteve, të lëshuara nga shtëpi ankandi dhe galeri arti ndërkombëtare, kryesisht në Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.
Sipas Eurojust, ky është një nga rrjetet më të mëdha të trafikimit të trashëgimisë kulturore që është goditur në dekadën e fundit në Evropë, me bashkëpunimin e agjencive të hetimit financiar, policive kombëtare dhe Interpolit.