Shqiptari Aleks Xhelo kapet me fermë kanabisi me vlerë 450 mijë £ në Britani, u zbulua pas videove që publikonte vetë

Një shqiptar i identifikuar si Aleks Xhelo, 36 vjeç, është dënuar në Liverpool, Angli, pasi u kap duke kultivuar dhe shpërndarë sasi të mëdha kanabisi në disa ambiente që i kishte kthyer në ferma të paligjshme. Ai u zbulua nga policia pasi kishte filmuar veten duke treguar drogën dhe duke ia dërguar videot klientëve të tij.

Hetimet zbuluan se një nga fermat e Xhelos, e vendosur në Toxteth dhe Tuebrook, përmbante 351 bimë kanabisi me rendiment mesatar nga 10 deri në 30 kilogramë, me vlerë tregu afërsisht 450 mijë paund.

19 shtator 2024, Xhelo u ndalua nga policia në zonën e Old Swan, teksa udhëtonte si pasagjer në një makinë në Broadgreen Road. Brenda automjetit u gjetën 703 gramë kanabis me vlerë 10,500 paund, ndërsa në xhupin e tij u sekuestruan 3,200 paund në para të gatshme.

Policia gjeti gjithashtu telefonin e tij, në të cilin ishin ruajtur video dhe mesazhe që provonin përfshirjen në furnizimin e sasive shumëkilogramëshe të drogës. Në njërën prej bisedave, datë 12 shtator 2024, ai shprehej se ishte “në punë dhe kishte humbur 30,000 paund”, duke treguar përfshirje në aktivitet të vazhdueshëm tregtar me lëndë narkotike.

Hetuesit zbuluan se ai komunikonte me persona të ndryshëm, përfshirë nënën e një të riu, e cila e pyeste pse i kishte dhënë djalit të saj një kuti me drogë. Xhelo i përgjigjej se ishte “një dhuratë për të hapur biznesin e tij”.

Gjatë kontrollit të mëvonshëm në një pronë në West Derby Road, Tuebrook, policia gjeti një fermë të braktisur kanabisi me 78 bimë të vdekura dhe sistem elektrik të anashkaluar, dëshmi të qarta të një aktiviteti të mëparshëm kriminal.

Xhelo pranoi akuzat për kultivim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, dhe pritet të dënohet për përfshirje në një rrjet të organizuar trafiku droge në rajonin e Merseyside.

Ndaj Postimin: