Content
Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në Romë, pasi u kap duke transportuar një sasi droge me markën e veçantë të “Joker”-it.
Ngjarja ndodhi në zonën e Fiumicino-s, ku patrulla e policisë ndaloi një Fiat 500 që po lëvizte në mënyrë të dyshimtë. Sipas raportimeve, i riu u tregua tepër nervoz gjatë kontrollit, çka i bëri efektivët të dyshonin dhe të kryenin një verifikim të hollësishëm të mjetit.
Gjatë kontrollit, karabinierët zbuluan 2.5 kilogramë kanabis sativa, të ndarë në 25 pako nga 100 gramë secila, mbi të cilat ishte stampuar fytyra e personazhit “Joker”. Droga ishte fshehur në gomën rezervë të makinës.
Policia italiane sekuestroi edhe automjetin, ndërsa arrestoi menjëherë 22-vjeçarin. Pas seancës paraprake në gjykatë, ndaj tij u vendos masa e arrestit shtëpiak, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse i riu ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikut të lëndëve narkotike që vepron midis Italisë dhe Shqipërisë.