Gjigantët e teknologjisë Microsoft dhe Nvidia kanë njoftuar një marrëveshje të re bashkëpunimi me kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic, duke përfshirë investime që arrijnë dhjetëra miliarda dollarë. Sipas marrëveshjes, Anthropic – krijuesi i modeleve Claude, rival i drejtpërdrejtë i ChatGPT – do të angazhojë rreth 30 miliardë dollarë për përdorimin e shërbimeve cloud të Microsoft. Ndërkohë, Nvidia do të investojë deri në 10 miliardë dollarë, ndërsa Microsoft rreth 5 miliardë, si pjesë e raundit të ardhshëm të financimit të kompanisë.
Ky bashkëpunim forcon lidhjet mes dy mbështetësve të OpenAI dhe një prej rivalëve të saj më të afërt. CEO i Microsoft-it, Satya Nadella, deklaroi se OpenAI “mbetet një partner i rëndësishëm”, por shtoi se Microsoft do të zgjerojë bashkëpunimin me kompani të tjera që zhvillojnë modele të avancuara të AI-së.
“Ne do të përdorim modelet e Anthropic, ata do të përdorin infrastrukturën tonë dhe do të dalim në treg së bashku,” tha Nadella në një video zyrtare.
Ky zhvillim vjen pas ristrukturimit të fundit të OpenAI, i cili i dha kompanisë më shumë distancë nga rrënjët e saj jofitimprurëse. Pas ndryshimeve, OpenAI nënshkroi një marrëveshje 38 miliardë dollarëshe me Amazon për shërbime cloud, duke reduktuar varësinë nga Microsoft. CEO i OpenAI, Sam Altman, ka theksuar se kompania planifikon të investojë 1.4 trilion dollarë në ndërtimin e kapaciteteve kompjuterike deri në 30 gigavat.
Analisti Gil Luria nga D.A. Davidson i tha Reuters se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie për të zvogëluar varësinë e Microsoft-it nga një kompani e vetme. “Microsoft nuk dëshiron të mbështetet vetëm në një furnizues të modeleve më të avancuara. Edhe Nvidia, që më parë varej nga suksesi i OpenAI, tani po krijon kërkesë më të gjerë në treg,” tha ai.
Megjithatë, marrëveshja ka hapur diskutime mbi “rrethin financiar” të industrisë së AI-së. Siç shkroi gazetari Steve Kovach nga CNBC: “Anthropic do t’i paguajë Microsoft-it që t’i paguajë Nvidia-s, në mënyrë që Microsoft dhe Nvidia të mund të financojnë përsëri Anthropic.”
Në kuadër të marrëveshjes, Anthropic do të punojë me Nvidia për zhvillimin e çipave dhe modeleve që përmirësojnë performancën e AI-së, duke përdorur Grace Blackwell dhe Vera Rubin, ndër çipat më të fundit të kompanisë. Ndërkohë, klientët e platformës Azure AI Foundry të Microsoft-it do të kenë qasje në versionet më të reja të modeleve Claude.
Pas këtij zhvillimi, Anthropic do të ofrojë shërbimet e saj përmes të tre ofruesve kryesorë të cloud-it: Microsoft, Amazon dhe Google, ndërsa Amazon mbetet partneri kryesor për trajnimin dhe hostimin e modeleve.


