Berisha në Brazil me deputetët e PD-së, premton të denoncojë situatën në Shqipëri në Asamblenë e CDI-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet në San Paolo të Brazilit ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Internacionales Demokristiane (CDI) së bashku me deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi. Takimi zhvillohet gjatë dy ditëve të ardhshme dhe mbledh përfaqësues të forcave të qendrës së djathtë nga vende të ndryshme të botës.

Në një deklaratë nga Brazili, Berisha u shpreh se do të paraqesë para delegatëve të huaj gjendjen që, sipas tij, është “dramatike” në Shqipëri. Ai tha se do të flasë për problemet e korrupsionit, trafikut të drogës dhe për dobësimin e shtetit ligjor, duke i cilësuar këto si çështjet më të rëndësishme që përballon vendi.

“Një përshëndetje të përzemërt nga San Paolo. Së bashku me Albana Vokshin dhe Belind Këlliçin po marrim pjesë në konferencën e Asamblesë së Përgjithshme të CDI-së. Gjatë punimeve do të paraqesim realitetin dramatik që po kalon Shqipëria”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi gjithashtu se CDI ka qenë organizata e parë ndërkombëtare që ka miratuar një rezolutë ku denoncon publikisht, sipas tij, “narkoshtetin shqiptar” dhe “narkodiktaturën e Ramës”.

Berisha deklaroi se në diskutimet me drejtues politikë nga vende të ndryshme do të kërkojë rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj situatës në Shqipëri, duke shtuar se synon të sensibilizojë partnerët për zhvillimet që ai i konsideron alarmante në vend.

Ndaj Postimin: