Pezullimi i Belinda Ballukut nga detyra, Edi Rama shigjeton SPAK-un: Vendim
Edi Rama–Rama dhe Balluku (foto arkiv)
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nënvizoi se pavarësia e gjyqësorit është një nga arritjet më të mëdha të viteve të fundit, megjithatë ai pranoi se sistemi i ri, ende i brishtë dhe “fëminor” për shkak të moshës së tij institucionale, shfaq herë pas here mangësi dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Pezullimin e Ballukut Rama e cilësoi si një “rast unik” në Europë, duke vënë në dukje faktin se nuk ka ndodhur më parë që një prokuror dhe një gjyqtar të vendosin të largojnë nga detyra një anëtar të kabinetit qeveritar.
Sipas tij një veprim i tillë prek drejtpërdrejt ekuilibrat mes pushteteve dhe për këtë arsye do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“E thënë drejtpërdrejt, ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë arbitraritet; as do të angazhohemi, largqoftë, në një betejë politike retorike me drejtësinë. Por, do të vazhdojmë me durimin tonë strategjik, do ta respektojmë vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të qeverisë vetëm te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese,” tha Rama.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
“Dua të them fillimisht se nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim, ndër disa arsye themelore është fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe padiskutim që sot edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me epokën e re ku kemi hyrë dhe në këtë epokë Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye.
Sa i përket rastit konkret dua të them tre gjëra: së pari, pavarësia e gjyqësorit nuk është as një slogan, as një manovër politike dhe as një eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara. Dhe e realizuar vetëm në vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive, duke filluar nga një fakt i pamohueshëm: varrosja e kulturës 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë. Por ama, ka shfaqur edhe dobësitë e një pushteti krejt të ri, fëminor për nga mosha, dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Së dyti, dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua personalisht, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë, sepse siç thotë dhe një fjalë e mençur: kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pisët.
Dhe këtu vij te e treta: pezullimi nga detyra i një ministri, në këtë rast edhe i zv.kryeministres, drejtpërdrejt përgjegjës në drejtimin e qeverisë, është një tjetër shfaqje pikërisht e atyre dobësive që përmenda më lart të një pushteti krejt të ri dhe të reflekseve antidemokratike.
Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu në historinë e trupave speciale të drejtësisë, ku nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjyqtar të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Por, nëse një prokuror special dhe një gjyqtar special i shkallës së parë speciale kanë vendosur të pezullojnë një ministër, duke cenuar drejtpërdrejt pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, zgjedhja jonë është strategjike: për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht, edhe në këtë rast ekstrem.”


