35 të arrestuar në operacionin ndërkombëtar kundër trafikut të artefakteve, përfshihet edhe Shqipëria

Një operacion ndërkombëtar i udhëhequr nga autoritetet bullgare dhe i mbështetur nga Europoli ka çuar në arrestimin e 35 personave dhe në sekuestrimin e mbi 3 mijë artefakteve antike, përfshirë monedha ari e argjendi dhe objekte të rralla arkeologjike. Operacioni përfshiu Bullgarinë, Shqipërinë, Greqinë, Francën dhe Gjermaninë.

Sipas autoriteteve, gjatë aksionit u kryen 131 kontrolle në shtëpi, automjete dhe kasaforta bankare. Në këto bastisje u gjetën mijëra objekte me vlerë të jashtëzakonshme kulturore, si dhe mbi 50 armë antike. Vlera totale e objekteve të sekuestruara vlerësohet në rreth 100 milionë euro.

Hetimet treguan se rrjeti kriminal ka operuar për më shumë se 16 vjet, duke trafikuar artefakte nga Ballkani dhe Evropa Perëndimore deri në Shtetet e Bashkuara. Një objektiv i rëndësishëm financiar i grupit dyshohet se ka financuar gërmime të paligjshme në Bullgari dhe në vendet fqinje.

Europol njoftoi se hetimet nisën në vitin 2020, pas sekuestrimit të 7 mijë artefakteve gjatë një bastisjeje në Bullgari. Këto objekte, kryesisht antikitete greko-romake dhe trake, janë ruajtur në Muzeun Kombëtar Historik të Bullgarisë në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, në qershor 2024, Europoli ngriti një taskforcë të posaçme, e cila ndihmoi në koordinimin e informacionit dhe analizën e provave. Ekspertë të Europolit u vendosën në Sofje për të asistuar në menaxhimin e operacionit.

Sipas hetuesve, tregu i artit është shndërruar në një kanal të favorshëm për pastrimin e parave dhe për qarkullimin e artefakteve të vjedhura. Rajoni i Ballkanit dhe Italia mbeten terrenet më të rrezikuara për shkak të trashëgimisë së pasur arkeologjike dhe mungesës së kontrolleve efektive.

Ky operacion vlerësohet si një goditje e fortë kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare që trafikojnë objekte të trashëgimisë kulturore dhe si një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së pasurisë historike botërore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033