“BE është një perandori” – Rama intervistë për Euronews: Shqipëria i takon Europës. Marrëdhënia me Melonin…

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Euronews, ku ka folur për integrimin europian, luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Italinë.

Rama e cilësoi Bashkimin Europian si “një perandori të mirë”, ku sipas tij Shqipëria ka dashur gjithmonë të bëhet pjesë. Ai tha se vendi ka kaluar nën perandori të ndryshme dhe sot synon të jetë pjesë e një “perandorie” vullnetare që garanton liri, barazi dhe demokraci.

Gjatë intervistës, Rama komentoi edhe rolin e Italisë, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si të veçantë. Për Giorgia Melonin ai tha se ka një kimi të dukshme dhe e cilësoi si një lidere që “priret më shumë të bëjë sesa të flasë”.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Rama e përshkroi konfliktin si një “paralajmërim të stuhive gjeopolitike”, duke kritikuar faktin që Europa ende nuk ka një plan paqeje. Ai theksoi se BE duhet të kombinojë qëndresën ndaj agresionit me një vizion real për paqen, duke mos braktisur diplomacinë.

Në intervistë, Rama u pyet edhe për perceptimin e Rusisë si kërcënim. Ai tha se “njëra nuk e përjashton tjetrën”: Rusia mund të jetë kërcënim, por gjithashtu kërkon kanale komunikimi, njësoj si SHBA dikur me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën.

Kryeministri komentoi edhe “modelin shqiptar” të marrëveshjes për emigracionin me Italinë. Ai hodhi poshtë idenë e cënimit të sovranitetit, duke deklaruar se Italia nuk është “një vend tjetër”, por partneri më i afërt i Shqipërisë, me një marrëdhënie historike dhe besim të ndërsjellë.

Për stereotipat mbi Shqipërinë, Rama tha se vendi nuk është më “gropa e zezë” e perceptimeve të vjetra, duke theksuar se sot Shqipëria vizitohet nga miliona turistë europianë dhe është pjesë e natyrshme e kontinentit. Ai pranoi se krimi dhe droga mbeten sfida, por nënvizoi se “kush nuk i ka këto probleme?”.

Rama vlerësoi gjithashtu raportin e Komisionit Europian, duke e quajtur “dokumentin më objektiv dhe frymëzues” për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.

Ndaj Postimin: