Kryeministri Edi Rama theksoi në një intervistë për gazetën holandeze “Volkskrant” se Shqipëria synon anëtarësimin në BE pa të drejtë vetoje, duke nënvizuar se vendi nuk do të jetë kurrë pengesë për vendimmarrjen evropiane, por një forcë shtesë për unitetin e Unionit.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të gjatë për të përditshmen holandeze “Volkskrant”, ku ka folur për procesin e anëtarësimit, veton, marrëdhëniet me Holandën dhe debatin më të gjerë mbi të ardhmen e Bashkimit Europian. Ai deklaroi se vendet që anëtarësohen në BE nuk duhet të kenë të drejtë vetoje, pasi kjo mund të kthehet në kërcënim për unitetin e Unionit.
Rama u shpreh se Shqipëria është e gatshme të heqë dorë nga mekanizma të tillë për të treguar se synon forcimin e projektit evropian, e jo bllokimin e tij. Ai shtoi se vendi nuk ka nevojë as për një komisioner të vetin dhe as për të votuar kundër shumicës në Këshillin Europian.
Duke komentuar të kaluarën, kryeministri foli për bllokadat e dikurshme të Holandës. Sipas tij, vendi ka mësuar shumë nga bashkëpunimi me ish-kryeministrin Mark Rutte, të cilin e cilësoi “politikan mjeshtër dhe njeriun më të përshtatshëm për drejtimin e NATO-s në kohë të vështira”.
Rama theksoi se lufta në Ukrainë ka ndryshuar qasjen e BE-së ndaj zgjerimit, duke e kthyer zgjerimin nga çështje teknike në domosdoshmëri gjeopolitike. Sipas tij, BE-ja duhet të zgjerohet dhe të forcohet për t’u përballur me sfidat globale dhe për të ruajtur ekuilibrat ndërkombëtarë.
Duke folur për sfidat e Shqipërisë, kryeministri pranoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, të cilat kërkojnë institucione më të forta dhe mbështetje nga BE. Ai tha se dixhitalizimi është një nga mjetet kryesore për të luftuar korrupsionin, duke përmendur edhe “ministren virtuale” Diella.
Rama u shpreh se Diella, si sistem i inteligjencës artificiale, është krijuar për të sjellë transparencë dhe shpejtësi në prokurimet publike. Sipas tij, viti i ardhshëm do ta gjejë këtë teknologji të avancuar edhe si hologram, e gatshme për intervista dhe komunikim publik.
Duke folur për lidhjet me Holandën, ai tha se ka mësuar durim dhe perspektivë politike nga bashkëpunimi me Rutte, duke theksuar se ka kuptuar më mirë vështirësitë dhe kompleksitetet evropiane gjatë këtij procesi.
Në intervistë, Rama theksoi disa herë se Shqipëria e sheh BE-në si projektin më të rëndësishëm politik të njerëzimit, por që projekti mbetet i papërfunduar. Ai u shpreh se Europa duhet të bëhet më e madhe dhe më e fortë përballë sfidave të reja globale.
Në mbyllje, ai theksoi se Shqipëria nuk është në BE për të “prishur punë”, por për t’u bërë pjesë e një Evrope më të bashkuar, më të fuqishme dhe më efektive në skenën ndërkombëtare.


