Rrëshqitjet e përsëritura në segmentin Qukës–Qafë Plloçë rikthejnë shqetësimet për cilësinë dhe sigurinë e një rrugë që ka kushtuar mbi 260 milionë euro dhe ka marrë 14 vite ndërtim.
Në aksin e ri rrugor Qukës–Qafë Plloçë janë regjistruar sërish rrëshqitje dherash, duke bllokuar një nga korsitë dhe duke krijuar vështirësi të reja për qarkullimin. Kjo është ndër disa ngjarjet e ngjashme që janë raportuar në këtë segment, duke ngritur dyshime të forta mbi stabilitetin e shtratit rrugor dhe standardet e punimeve.
Rruga, një projekt me kosto të lartë prej rreth 260 milionë eurosh, është promovuar si një lidhje kyçe midis lindjes dhe perëndimit të vendit. Megjithatë, fakti që problematika të tilla përsëriten vazhdimisht ka vënë në pikëpyetje sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të saj.
Rrëshqitja e fundit ka sjellë një sasi të madhe inertesh mbi asfalt, duke e bërë njërën prej korsive të pakalueshme. Kjo situatë i ka detyruar drejtuesit e mjeteve të lëvizin me kujdes dhe në disa raste të presin gjatë, derisa trafiku të menaxhohet.
Sipas autoriteteve lokale, firma kontraktuese pritet të ndërhyjë për pastrimin e masave dherore dhe rikthimin e lëvizjes normale. Ndërkohë, banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar se rrëshqitje të tilla mund të shfaqen sërish, veçanërisht gjatë periudhave me reshje intensive.
Kjo situatë mbetet një tjetër shembull i problemeve të infrastrukturës strategjike në vend, ku investimet e mëdha shpesh përballen me sfida të theksuara lidhur me cilësinë, monitorimin dhe mirëmbajtjen pas ndërtimit.


