Një konflikt i nisur për një manovër në trafik përfundoi tragjikisht në Neos Kosmos, ku një 29-vjeçar shqiptar goditi për vdekje një shtetas grek 58-vjeçar, ndërsa babai i tij dhe dy shokë u arrestuan për fshehje provash dhe bashkëpunim.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Neos Kosmos në Greqi, ku një 29-vjeçar shqiptar ka rrahur për vdekje një 58-vjeçar pas një konflikti të nisur mbi një mosmarrëveshje në trafik. Sipas policisë greke, sherri nisi kur viktima i zuri rrugën me makinë të riut, duke shkaktuar një përplasje verbale që më pas eskaloi në dhunë.
I dyshuari pranoi autorësinë pasi u arrestua, por deklaroi se nuk kishte pasur qëllim të vriste viktimën, duke shpjeguar me detaje dinamikën e ngjarjes. Përveç tij, policia vuri në pranga edhe babanë e 29-vjeçarit, i cili tentoi të largonte motoçikletën për të fshehur gjurmët, si dhe dy miq të të riut që ndodheshin me të gjatë momentit të sulmit fatal.
Policia greke disponon edhe dëshminë e një personi të cilësuar si “dëshmitar kyç”, i cili ka parë të gjithë ngjarjen dhe ka treguar rrjedhën e plotë të konfliktit.
Sipas dëshmisë së tij, incidenti nisi në rrugën Frantzis, ku të dy shoferët u grindën dhe 29-vjeçari e goditi fillimisht viktimën me grusht. Për një moment dukej se sherri u qetësua, derisa 58-vjeçari vendosi të ndjekë të riun, i cili ishte nisur me motor drejt një palestër pranë banesës së tij.
Teksa i riu po hipte sërish në motor, viktima e thirri nga dritarja e mjetit të tij dhe e spërkati me spraj piperi. Kjo e nxiti 29-vjeçarin të nisej menjëherë pas tij.
Sipas dëshmitarit, viktima shtypi gazin dhe u largua në drejtim të bulevardit Machis Analatou, ndërsa shqiptari e ndoqi nga afër. Vetëm pak minuta më vonë, i riu arriti ta bllokojë në fund të një rruge të ngushtë, në qorrsokakun “Soulier”, ku ndodhi dhe dhuna tragjike.
Hetuesit thonë se në momentin e sulmit fatal, 29-vjeçari i kapi kokën viktimës pas dritares së makinës dhe e goditi disa herë me grusht deri sa e la të pajetë.
Dëshmitari ka rrëfyer edhe sekondat e fundit para ndjekjes fatale: “E dëgjova duke fishkëllyer dhe i thashë çfarë ndodhi? Më tha: ‘Më spërkati me sprej’, dhe nisi ta ndiqte me motor deri kur ndodhi përplasja e fundit.”
Ngjarja ka trazuar opinionin publik në Greqi, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe rolin e personave të tjerë të përfshirë në këtë episod të rëndë dhune.


