Policia e Vlorës arrestoi në flagrancë një 22-vjeçar nga fshati Babicë e Madhe, pasi në automjetin e tij u gjetën 216 gram kanabis të fshehur nën sediljen e shoferit, gjatë operacionit të koduar “Endline”.
Policia e Vlorës bëri të ditur se ka finalizuar me sukses operacionin policor “Endline”, i fokusuar në goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi E. L., 22 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe. I riu u ndalua pasi gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz”, të cilin ai e drejtonte, policia gjeti 216 gram lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa. Sasia e drogës ishte e fshehur poshtë sediljes së shoferit, në mënyrë që të shmangej zbulimi nga patrullat.
Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi tre aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për komunikim gjatë veprimtarisë kriminale, si dhe automjetin tip “Benz” që shërbente si mjet transporti për drogën.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Policia e Vlorës ka deklaruar se operacione të tilla do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qark.


