Agron Shehaj reagoi ashpër pas përjashtimit nga seanca plenare, duke dënuar qëndrimin e Belinda Ballukut dhe duke kërkuar dorëheqjen e saj, ndërsa e akuzoi për arrogancë dhe mungesë përgjegjësie përballë drejtësisë.
Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, doli para mediave menjëherë pasi u përjashtua nga seanca e Kuvendit, pas debatit të tensionuar me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai tha se protesta e tij ishte një reagim i domosdoshëm kundër asaj që e cilësoi “normalizim të imoralitetit politik”.
“Nuk mund të pranojmë që një e pandehur të dalë përpara qytetarëve dhe të bëjë moral. Ky standard nuk duhet të tolerohet,” deklaroi Shehaj, duke shtuar se rasti i Ballukut krijon precedent të rrezikshëm edhe për vetë kryeministrin Edi Rama në të ardhmen.
Sipas tij, përgjimet e publikuara dhe akuzat e SPAK-ut kundër zyrtarëve të lartë të qeverisë tregojnë qartë se qytetarëve po u vidhen fondet publike, ndërsa buxheti po menaxhohet në mënyrë të dyshimtë. “Çfarë garancie kemi se nuk do të abuzohet me buxhetin, kur dy zv.kryeministra janë marrë të pandehur? Kjo është pyetja që duhet të shqetësojë çdo qytetar,” theksoi Shehaj.
Ai e akuzoi Ballukun se po sillet me arrogancë, duke dalë para Kuvendit “me kokën lart”, edhe pse është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. “SPAK-u po bën punën e tij. Ka nxjerrë para drejtësisë dy zv.kryeministra. Por në vend që të tregojnë përgjegjësi, ata dalin si fitimtarë dhe bëjnë moral. Kjo është e papranueshme,” tha ai.
Shehaj theksoi se qytetarët shqiptarë po vuajnë për ilaçe, ndërsa fondet që duhet të shkojnë në sektorë jetikë si Onkologjiku “përdoren për aferat korruptive të pushtetarëve”. Ai tha se ndaj një situate të tillë nuk mund të qëndrojë i heshtur.
“Kjo është arsyeja pse protestova dhe pse i ndërpreva fjalën të pandehurës Balluku. Ajo duhet të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë,” përfundoi Shehaj.
Debatet e sotme në Kuvend pasuan një seri tensione të shkaktuara nga hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, duke e rritur më tej konfliktin politik për çështjet e korrupsionit dhe integritetit në qeverisje.


