Bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i kanë kërkuar zyrtarisht ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbështetje me ekspertë ndërkombëtarë, për të garantuar një proces të standardizuar dhe të besueshëm.
Bashkëkryetarët e komisionit parlamentar, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, kanë dërguar një letër zyrtare drejtuese së ODIHR-it dhe përfaqësuesve të Komisionit të Venecias, ku shprehen mirënjohjen për kontributin e deritanishëm në proceset zgjedhore dhe kërkojnë asistencë profesionale për reformën e re.
Në letrën e tyre, ata falënderojnë OSBE/ODIHR për rolin e rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit demokratik të Shqipërisë, sidomos në forcimin e standardeve zgjedhore, të cilat vazhdojnë të mbeten një sfidë kyçe për proceset politike në vend.
Gjiknuri dhe Bylykbashi rikujtojnë se Kuvendi ka miratuar me vendimin nr. 74, datë 27.10.2025, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky komision ka si detyrë hartimin e ndryshimeve ligjore që do të adresojnë rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it, të zgjedhjeve të fundit dhe të atyre të mëparshme që nuk janë trajtuar, si dhe sugjerimet e institucioneve përkatëse, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në vijim, bashkëkryetarët theksojnë se kërkesa për ekspertizë ndërkombëtare vjen në kuadër të dakordësimit që është arritur gjatë takimeve të fundit me përfaqësuesit e ODIHR-it. Ata kërkojnë vënien në dispozicion të ekspertëve që mund të ndihmojnë komisionin gjatë gjithë procesit të reformës.
Në dokument theksohet se modalitetet e bashkëpunimit do të dakordësohen nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit, duke siguruar transparencë dhe bashkërendim institucional.
“Duke ju falënderuar për gatishmërinë dhe bashkëpunimin, ju përcjellim konsideratat tona më të larta,” përmbyllet letra, e cila synon të garantojë mbështetjen teknike të një prej institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve.
Procesi i reformës zgjedhore pritet të jetë vendimtar për krijimin e një kuadri më të qëndrueshëm dhe më gjithëpërfshirës, ndërsa kërkesa e re tregon synimin e komisionit për të përfshirë ekspertizë të pavarur dhe të standardeve europiane.


