Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi Edi Ramën se në vend që të flasë për interesin publik në Kuvend, po mbron një të pandehur të SPAK, duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut dhe aferës së tunelit të Llogarasë.
Pas fjalës së kryeministrit Rama në seancën plenare, Gazment Bardhi reagoi ashpër nga foltorja, duke e akuzuar shefin e qeverisë se po luan rolin e “avokatit të Belinda Ballukut”, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për një aferë prej 50 milionë eurosh.
Bardhi u shpreh se Rama u paraqit në Kuvend jo si përfaqësues i interesit publik, por si mbrojtës politik i një zyrtareje nën hetim. Ai theksoi se opozita nuk ka sajuar akuza, por ka cituar drejtpërdrejt SPAK-un dhe dokumentet zyrtare.
“S’ka gjë më etike se t’i kthesh kurrizin një njeriu të korruptuar,” tha Bardhi, duke iu referuar deklaratave të Ramës. “Ne nuk e bëmë prokurorinë, ne sollëm në vëmendje atë që ka thënë prokuroria.”
Ai e akuzoi kryeministrin se po devijon debatin, duke mbrojtur Ballukun dhe duke relativizuar hetimin e SPAK-ut mbi tenderin e tunelit të Llogarasë. “Po ty çfarë të detyron të vish në këtë faltore të demokracisë dhe të bësh avokatin e një të pandehure për vjedhje të fondeve publike?” pyeti ai.
Bardhi theksoi se shqiptarët presin politika konkrete për rritjen reale të pagave dhe pensioneve, jo “fjalime që shërbejnë për të larë imazhin e të pandehurve të qeverisë”.
Deklaratat e tij shtuan tensionin në seancë, në një ditë ku debati u dominua nga akuzat për korrupsion, hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe qëndrimet e qeverisë ndaj projekteve të mëdha infrastrukturore.


