Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës për tunelin e Llogarasë dhe çështjet e SPAK, duke theksuar se drejtësia sot është e pavarur dhe se pretendimet për korrupsion janë “aritmetikë e gënjeshtërt”.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, ku ishte e pranishme edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e marrë nën hetim nga SPAK – kryeministri Edi Rama u ndal te akuzat e opozitës për projektin e tunelit të Llogarasë dhe aferën e inceneratorëve. Rama theksoi se në Shqipëri akuzat politike nuk mund të zëvendësojnë gjykimin e drejtësisë.
Kreu i qeverisë nisi replikën e tij duke cituar Eurostatin, duke thënë se “Shqipëria ka nivel më të ulët rreziku për varfëri sesa Serbia dhe Mali i Zi”. Ai shtoi se sipas Bankës së Shqipërisë, pagat reale dhe të ardhurat e disponueshme janë rritur 4–5% gjatë vitit 2024, ndërsa FMN – sipas tij, e ka renditur Shqipërinë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë.
Rama u ndal më pas tek pretendimet e opozitës se me 450 milionë eurot e inceneratorëve do të mund të bëhej rritje e madhe e pensioneve. Ai ironizoi shifrën, duke thënë se ajo “nuk del askund”, dhe e krahasoi me gafat aritmetike të kundërshtarëve të tij: “7 herë 7 ju del 42, prandaj dhe 450 milionë ju dalin si t’ju duan.”
Sipas tij, akuzat për tunelin e Llogarasë ndjekin të njëjtën logjikë politike si çështja e inceneratorëve. “Edhe ato 50 milionë euro janë bërë si 450 milionë eurot e famshme të inceneratorëve,” u shpreh Rama, duke akuzuar opozitën për manipulim të opinionit publik.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Rama deklaroi se pikërisht sepse drejtësia sot është e pavarur, shqiptarët i besojnë institucioneve dhe jo “atij që bën rolin e prokurorit në rrugë”. Ai shtoi se opozita ka dështuar të prodhojë prova dhe se protestat e tyre rezultojnë “me kashtë e koqe”, duke iu referuar pjesëmarrjes së ulët në tubimet e fundit.
Kryeministri u ndal edhe te fondet e bujqësisë, duke iu përgjigjur kritikave për keqpërdorime. Ai tha se raportet e OLAF-it, agjencisë së BE-së për hetimin e mashtrimeve, nuk kanë identifikuar shkelje të natyrës që pretendon opozita në Shqipëri, por vetëm në disa vende të tjera anëtare si Luksemburgu, Qiproja dhe Holanda.
Rama e mbylli fjalën duke theksuar se qeveria mbështetet tek burime të verifikueshme si Eurostat, Banka e Shqipërisë dhe FMN, ndërsa opozita, sipas tij, mbështetet tek “gënjeshtra të vetëdijshme apo padije të përsëritur”.
Seanca u zhvillua mes tensioneve të shtuara politike, sidomos pas hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë, çështje që vazhdojnë të ndezin debatin parlamentar.


