Kreu i PD-së, Sali Berisha, pasi u pyet në SPAK për çështjen e 21 janarit, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka organizuar protestën e dhunshme të vitit 2011, duke shtuar se ndërkombëtarët kishin paralajmëruar për axhendë dhune.
Pas marrjes në pyetje në ambientet e SPAK, Sali Berisha doli para mediave për të komentuar zhvillimet e ditës. Ai u ndal tek ngjarjet e 21 janarit 2011, duke fajësuar kryeministrin Edi Rama për organizimin e protestës që, sipas tij, kishte si qëllim destabilizimin e vendit.
“Rama, për epshet e pushtetit të tij, organizoi një nga protestat më të dhunshme që ka njohur vendi,” deklaroi Berisha, duke shtuar se protesta ishte planifikuar me skenar konflikti.
Berisha tha se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe SHBA-në, kishin paralajmëruar për një axhendë të qartë dhune nga Partia Socialiste në atë kohë. Ai theksoi se pikërisht kjo ishte edhe arsyeja pse nuk ishte thirrur më herët për pyetje lidhur me atë që e quajti “një ngjarje dramatike”.
“Ndërkombëtarët dhe SHBA kanë deklaruar se më 21 janar PS kishte axhendë dhune. Kjo u bë shkak që të mos thirrem për t’u pyetur për një ngjarje dramatike me 4 viktima dhe 120 policë të plagosur,” tha Berisha, duke e konsideruar situatën si të manipuluar politikisht.
Deklarata e tij rikthen në fokus tensionet e hershme mbi 21 janarin, një çështje që vazhdon të ngrejë debat dhe akuza mes palëve politike, ndërsa hetimet vijojnë të mbeten pjesë e axhendës së drejtësisë.


