Deputeti Agron Shehaj akuzon mazhorancën se i ka mohuar të drejtën për interpelancë dhe thekson se Shqipëria po përjeton një moment të paprecedentë, ku dy ish-zv.kryeministra përballen me drejtësinë për korrupsion.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Agron Shehaj kërkoi sërish zhvillimin e interpelancës me zv.kryeministren Belinda Balluku, duke theksuar se kërkesa e tij është shtyrë pa asnjë arsye ligjore. Ai shtoi se kishte kërkuar edhe një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, por kjo e drejtë, sipas tij, i është mohuar.
Shehaj deklaroi se situata është historike, pasi për herë të parë në Shqipëri dhe ndoshta në Evropë: dy zv.kryeministra merren të pandehur njëri pas tjetrit për çështje korrupsioni. Sipas tij, rasti i Arben Ahmetajt, i cili ndodhet në arrati, dhe ai i Belinda Ballukut, e akuzuar për një tender mbi 100 milionë euro, tregon thellësinë e krizës qeveritare.
“Interpelanca me Ballukun është edhe më e rëndësishme sot, sepse në momentin kur e kërkova nuk ishte e pandehur. Brenda tre javësh duhej caktuar data, por asgjë s’është bërë,” u shpreh Shehaj, duke theksuar se mosveprimi përbën shkelje të rregullores së Kuvendit.
Ai përmendi edhe përgjimet e bëra publike në media, duke i cilësuar si prova të kulturës së abuzimit me tendera publikë, përpara se kryetari i Kuvendit t’i tërhiqte vëmendjen për etikën e përdorur.
Shehaj kujtoi se roli i parlamentit është i dyfishtë: të miratojë ligje dhe t’i kërkojë qeverisë llogari për mënyrën si shpenzohen paratë e qytetarëve. “Më është mohuar e drejta për interpelancë,” tha ai, duke akuzuar mazhorancën se po mbron qeverinë nga përgjegjësia.
Ai shtoi se ky është një moment historik për vendin, sepse “për herë të parë në 35 vite, të pushtetshmit po dalin përpara drejtësisë”.
Debati vjen në një seancë ku po shqyrtohet projektbuxheti 2026 dhe paketa fiskale, ndërsa prania e Ballukut në sallë shkaktoi komente nga opozita, përfshirë deklaratën e Gazment Bardhit: “Erdhi e pandehura.”
Përplasja politike pritet të vijojë teksa opozita kërkon interpelanca dhe llogaridhënie për rastet që, sipas saj, dëshmojnë kapjen e qeverisë nga aferat korruptive.


