Taulant Balla ironizon protestën e PD-së dhe i kërkon Kuvendit të vijojë debatin për buxhetin

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, goditi me ironi Foltoren e PD-së, duke thënë se protesta me pjesëmarrje të ulët tregon seriozitetin e dobët të opozitës në raport me çështjet jetike si buxheti dhe pensionet.

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, Taulant Balla ironizoi tubimin e organizuar nga Foltorja e Partisë Demokratike para Kryeministrisë, ku u mblodh një numër i kufizuar mbështetësish. Balla e përdori protestën si shembull të dobësimit të opozitës dhe mungesës së peshës së saj politike.

Ai u shpreh se matematika vazhdon të jetë problem për PD-në, duke thumbuar organizimin e protestës. “Ju me matematikën u ka lënë ai mbrapsht, se 7 x 7 vazhdoni…”, tha ai, duke nënvizuar se forca opozitare nuk po arrin të mobilizojë qytetarët.

Balla theksoi se diskutimi për pensionet nuk është çështje politike, por sociale, dhe se Partia Socialiste ka prioritet shtresat në nevojë. “Pensionisti i vetëm ndër ju s’ka hall rritjen e pensioneve, se e ka pagën e lartë. Hallin e kanë 670 mijë të tjerë,” deklaroi ai, duke përmendur edhe nënën e tij si simbol të pensionistëve shqiptarë.

Kreu i grupit socialist i kërkoi Kuvendit të vijonte me votimin për t’i bashkuar diskutimit mbi buxhetin edhe debatin për minimumin jetik, duke theksuar se ky është një element i rëndësishëm i paketës financiare të vitit të ardhshëm.

Në vijim të fjalës së tij, Balla u rikthye tek protesta e opozitës, duke thënë se serioziteti i PD-së po konsolidohet vetëm në mungesën e pjesëmarrjes. “Serioziteti i forcës tuaj politike vazhdon të konsolidohet, sikurse u konsolidua të hënën me 300 petrita në bulevardin Dëshmorët e Kombit,” u shpreh ai me ironi.

Deklaratat e Ballës shtuan tensionin në sallë, duke nxitur reagime nga opozita, e cila e akuzoi mazhorancën se po shmang debatet reale duke përdorur tallje e retorikë politike.

Përplasja është pjesë e klimës së rritur të konflikteve verbale mes palëve, ndërsa Kuvendi vazhdon diskutimet për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe çështje të tjera sociale që prekin mijëra qytetarë.

Ndaj Postimin: