Një përplasje verbale shpërtheu në Kuvend pasi Gazment Bardhi kërkoi me ironi që maxhoranca të duartrokiste Belinda Ballukun, të pandehur nga SPAK, ndërsa Niko Peleshi e paralajmëroi për etikën parlamentare.
Seanca plenare u tensionua pasi deputeti Gazment Bardhi përdori ironi ndaj maxhorancës socialiste, duke iu drejtuar me kërkesën që “të duartrokasin të pandehurën nga SPAK”, duke iu referuar ministres Belinda Balluku. Deklarata solli reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Bardhi e nisi ndërhyrjen e tij para hapjes së seancës, duke thënë: “Para se të fillojnë punimet e Kuvendit, t’i japin duartrokitje të pandehurës nga SPAK për abuzim.” Komenti i tij shkaktoi murmuritje në sallë dhe pakënaqësi tek deputetët e mazhorancës.
Peleshi ndërhyri duke i tërhequr vëmendjen, duke theksuar se fjala e tij nuk duhet të përdoret për sulme personale. “Mos e personalizoni goditjen. Fjala juaj është për projekt-kalendarin,” tha ai, duke kërkuar rikthim te procedura.
Bardhi këmbënguli se nuk kishte shkelur asnjë rregull etik dhe se deklarata e tij nuk përbënte fyerje. “Është fjalë turpi vetëm për ata që kanë turp statusi ‘i pandehur’. Unë nuk fyeva njeri,” tha ai nga foltorja.
Ai shtoi se nuk kishte përdorur asnjë shprehje të rëndë ndaj Ballukut, duke kujtuar se marrëdhëniet politike mes saj dhe kryeministrit Rama janë tashmë objekt diskutimi publik. “Nuk thashë asgjë për atë që ajo i thotë Ramës. Këto janë mes tyre,” vijoi Bardhi.
Momenti solli edhe një herë në vëmendje tensionet mes opozitës dhe mazhorancës, sidomos në çështjet që lidhen me hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë. Përplasja u regjistrua në nisje të seancës, duke shënjuar një tjetër ditë të ndezur debati në sallën e Kuvendit.


