Përditësimi i motit nga Ministria e Mbrojtjes, ja situata në disa qarqe

Reshjet e dendura shkaktojnë probleme në disa qarqe, ndërsa vijon puna në terren për pastrimin e akseve, largimin e ujërave dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të ri mbi situatën e reshjeve në vend, duke raportuar probleme të përqendruara në disa zona të prekura nga moti i keq. Strukturat vendore dhe emergjencat civile po punojnë pa ndërprerje për normalizimin e situatës.

Në qarkun Lezhë, ekipet në terren vijojnë punën në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë-Mamurras, të njësisë administrative Mamurras. Në fshatin Shpërtheth, rruga mbetet e dëmtuar për shkak të prurjeve të larta të lumit Droje, ndërsa forcat inxhinierike po punojnë për ndërhyrje të menjëhershme.

Punime po kryhen edhe në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, në njësinë administrative Milot, ku uji ka dëmtuar disa pjesë të infrastrukturës. Situatë e ngjashme raportohet edhe në fshatin Shpërdhezë të njësisë administrative Kaçinar, ku ura është dëmtuar nga reshjet intensive.

Në qarkun Durrës, situata në Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm po shkon drejt normalizimit. Ujërat janë tërhequr nga zonat problematike dhe po kryhen kontrolle për dëmtimet në terren. Niveli i lumenjve Erzen dhe Ishëm ka mbetur brenda kufijve të zakonshëm.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po funksionojnë me kapacitet të plotë, duke ndihmuar në largimin e ujërave të tepërta nga zonat fushore. Specialistët janë në terren për të garantuar që proceset të vijojnë pa ndërprerje.

Në qarkun Kukës, të gjitha akset nacionale raportohen të kalueshme. Megjithatë, ekipet e mirëmbajtjes mbeten në gatishmëri për çdo ndryshim të situatës, për shkak të reshjeve të vazhdueshme në zona malore.

Në qarkun Shkodër, segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj, në njësinë administrative Shalë, është zhbllokuar. Ndërkohë, segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi mbetet ende i bllokuar, dhe punimet do të vijojnë gjatë ditës për të rikthyer qarkullimin.

Në qarkun Gjirokastër, aksi Sofratikë–Libohovë është rikthyer në normalitet. Megjithatë, ka prani të shtuar ujërash në segmentin Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin pranë urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës, ku po punojnë disa ekipe njëkohësisht.

Në qarkun Elbasan, vazhdojnë ndërhyrjet për pastrimin e inerteve në aksin Elbasan–Peqin, në zonën e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd, ku reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje të tokës dhe bllokime të pjesshme.

Në qarkun Korçë, situata në fshatin Sanjollas të njësisë administrative Barmash është stabilizuar pas zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve. Kjo ndërhyrje ka shmangur rrezikun e përmbytjeve në banesa.

Situata energjetike

OSHEE njofton se ekipet po vijojnë punën për rikthimin e energjisë elektrike në disa zona të prekura. Aktualisht po punohet për furnizimin normal në:

– Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë në qarkun Lezhë
– Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun Kukës
– Hajmel dhe Vig–Mnelë (Vau-Dejës), si dhe Iballë dhe Qafë-Mali (Fushë-Arrëz) në qarkun Shkodër
– Zonën Maricaj të Memaliajt në qarkun Gjirokastër

Ministria njofton se monitorimi do të vazhdojë përgjatë ditës për të përballuar çdo situatë të re që mund të shkaktojnë reshjet e dendura në disa zona të vendit.

Ndaj Postimin: