Si sot një vit më parë, në derën e shkollës “Fan Noli”, në zemër të Tiranës, u vra 14-vjeçari Martin Cani nga shoku i tij i shkollës, Mario Përlleshi.
Ky krim i rëndë u pasua nga një sërë protestash qytetare, por asnjë përgjegjësi nga institucionet qeveritare.
Pas këtij krimi të rëndë, Edi Rama nisi një tur takimesh me fokus sigurinë në shkolla, ku pretendon se takoi 30 mijë prindër, por nuk gjeti asnjë ditë mundësinë të takonte prindërit e Martin Canit, të cilët ende presin drejtësi për birin e tyre.
E vetmja masë që prodhoi ajo tragjedi ishte mbyllja elektorale e Tik Tok-ut, një masë që nuk i ndaloi plagosjet me thikë në dyert e shkollave.
Qëndresa Qytetare, në këtë përvjetor të vrasjes së Martin Canit, kërkon që të rikthehet vëmendja tek siguria në shkolla.
Oficerët e sigurisë, të emëruar mbi bazën e kontributeve politike, duhet të zëvendësohen me oficerë të aftë dhe të trajnuar.
Shkollat duhet të forcojnë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, familjet e nxënësve dhe mediat, në mënyrë që policimi në komunitet të mos jetë propagandë boshe, por realitet.
Por ndërkohë për ironi të fatit sot kur shënohet 1 vjetori i vrasjes se Martin Canit , u regjistrua një tjetër ngjarje e turpshme për instancat tona të drejtësisë.
Këtë 18 Nëntor Gjykata e Korçës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për dy personat e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Egli Progës, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2024 në Pogradec.
Pasi ka përfunduar afati ligjor i paraburgimit për të dy të hetuarit, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” deri në përfundimin e hetimeve, që kanë mbetur peng i zbardhjes së kamerave të sigurisë.
Qëndresa Qytetare i kërkon KLP dhe KLGJ të vihen në lëvizje për çështjen e vrasjes së Egli Progës.


