Një defekt i brendshëm i Cloudflare shkaktoi rënie masive të internetit në mbarë botën, duke nxjerrë jashtë funksionit mijëra faqe, ndërsa disa platforma shqiptare raportuan probleme, por TV Apollon mbeti plotësisht funksional.
Një nga rrjetet më të rëndësishme të infrastrukturës së internetit, Cloudflare, u përball të martën me një nga ndërprerjet më të mëdha të viteve të fundit. Mijëra website, aplikacione dhe platforma globale u bënë të paarritshme për disa orë, duke prekur shërbime si ChatGPT, Claude, Spotify, X dhe dhjetëra portale shqiptare që varen nga rrjeti i Cloudflare.
Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, problemet filluan rreth orës 8 të mëngjesit me orën e SHBA-ve, ndërsa inxhinierët identifikuan menjëherë shkakun dhe nisën implementimin e një zgjidhjeje. Pak më shumë se dy orë më vonë, Cloudflare deklaroi se incidenti ishte “zgjidhur”, megjithëse disa përdorues mund të përballeshin ende me vështirësi në aksesimin e paneleve të administrimit.
Shefi i teknologjisë i Cloudflare, Dane Knecht, publikoi një sqarim në platformën X, ku kërkoi ndjesë dhe tha se gjithçka ishte shkaktuar nga një “bug latent”, një gabim i fshehur që nuk shfaq probleme gjatë testimeve, por aktivizohet pas ndryshimeve të thjeshta në konfigurim.
Sipas Knecht, një ndryshim rutinë në shërbimet e mitigimit të botëve shkaktoi kolapsin e sistemit dhe degraduan funksionimin e rrjetit në të gjithë botën. Ai theksoi se ngjarja nuk ishte një sulm kibernetik, por një gabim i brendshëm që kaskadoi me shpejtësi në shërbime të ndryshme.
“Kemi dështuar ndaj klientëve tanë dhe ndaj gjithë internetit,”- shkroi ai, duke premtuar një raport të plotë teknik brenda pak orësh. Ai shtoi se Cloudflare ka nisur punën për të parandaluar përsëritje të situatave të tilla.
Ndërkohë, kompania njoftoi se disa përdorues mund të vazhdojnë të përjetojnë probleme me hyrjen në dashboard-in e Cloudflare, ndërsa inxhinierët janë ende duke monitoruar çdo anomali.
Incidenti i sotëm ka ardhur më pak se një muaj pas një rënie tjetër të përmasave të mëdha te Amazon Web Services (AWS), duke rikujtuar varësinë e thellë të internetit global nga një numër shumë i vogël kompanish të mëdha infrastrukturore. Ekspertët paralajmërojnë se një problem teknik në këto kompani është i mjaftueshëm për të “lëkundur” gjithë rrjetin botëror.
Rënia e Cloudflare preku për disa minuta edhe portale shqiptare, por jo të gjitha. TV Apollon, që operon me një arkitekturë të pavarur nga shërbimet e Cloudflare, nuk u prek fare nga defekti global, duke mbetur i aksesueshëm pa ndërprerje.
Ngjarja e sotme ka ngritur sërish debatin e sigurisë së infrastrukturës digjitale dhe rrezikut që paraqet centralizimi i tepërt i internetit në disa kompani kryesore. Në orët në vijim pritet publikimi i analizës së detajuar nga Cloudflare për arsyet teknike të incidentit.


