Nga Ndriçim Gjoshi
Në seancën dëgjimore me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deputeti i Lushnjës dhe qarkut Fier Asforal Haxhiu , gjatë fjalës së tij, vuri theksin tek problematikat serioze që po përjeton sektori i shëndetësisë, duke u ndalur në veçanti tek situata në Spitalin Bashkiak të Lushnjës.
Ai kërkoi me forcë rritje të investimeve për këtë spital, i cili përballon një fluks të madh pacientësh nga e gjithë zona përreth dhe në përmasa funksionale i afrohet një spitali rajonal. Deputeti lushnjar, me profesion mjek kirurg, solli në Kuvend një qasje reale dhe profesionale mbi sfidat që përballen mjekët dhe pacientët çdo ditë, duke theksuar se shëndetësia është prioritet që prek çdo familje shqiptare.
Ai kërkoi gjithashtu rishikimin e statusit të Spitalit të Lushnjës, për ta përshtatur me nevojat aktuale dhe për t’i dhënë fund improvizimeve në infrastrukturë dhe mungesës së specialiteteve mjekësore. Fjala e tij u përshëndet si një zë i ri dhe i sinqertë në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe sistemit shëndetësor në nevojë.


