Kulla-mania/ Nga 18 në 56 kate: Rama trefishoi pa asnjë shpjegim lejen e Lefter dhe Orest Sotës tek ish-UET

Në vitin 2022, ish-godina shumëvjeçare e Universitetit Europian të Tiranës (UET), në bulevardin “Bajram Curri”, në zonën e njohur si “NSHRAK”, u shemb dhe u kthye në një grumbull inertesh. Në vend të institucionit arsimor, që u zhvendos në periferi, ishte planifikuar të ngrihej një kompleks rezidencial me lartësi maksimale 18 kate.

Në dhjetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi lejen e zhvillimit për projektin “Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”. Projekti parashikonte ndërtime 2, 4, 5, 7, 9, 11, 12 dhe 18 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokësore. Investitor ishte kompania “Forever Construction”, në pronësi të Lefter Sotës, ndërsa projektues studio e arkitektit Marco Casamonti.

Sipas dokumenteve të lejes së vitit 2020, kompleksi 18-katësh do të kishte një sipërfaqe ndërtimore prej 102.580 m².

Nga 18 në 56 kate – ndryshimi pa shpjegim

Tre vite më vonë, projekti ndryshoi rrënjësisht. Në 25 prill 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi një leje të re zhvillimi për objektin “Lana Riverside Residences”, me të njëjtin investitor dhe të njëjtin projektues.

Leja e re parashikon ndërtime 1, 2, 3, 5, 8 dhe një kullë 56 katëshe mbi tokë, si dhe 6 kate nëntokë. Paralelisht, me të njëjtin vendim u shfuqizua leja e vitit 2020 për kompleksin 18-katësh.

Dokumentacioni i shoqëruar me lejen 56-katëshe nuk jep asnjë arsye pse numri i kateve u trefishua. Nuk ka relacion teknik, urbanistik apo financiar që të shpjegojë ndryshimin drastik. Në praktikë, një firmë e vetme shndërroi një godinë nga 18 në 56 kate.

Dokumentet teknike të projektit të ri janë pothuajse identike me ato të projektit të parë, me përjashtim të lartësisë dhe sipërfaqes shtesë. Me lejen e re, sipërfaqja e ndërtimit u rrit në 155.900 m² – një shtesë prej 53 mijë metrash katrorë.

Nga Allajbeu te Lefter Sota

“Forever Construction” u themelua në vitin 2018 me aksioner Asllan Fetiun, bashkëpunëtor i biznesmenit të spitaleve Klodian Allajbeu. Në vitin 2020, Allajbeu bleu kompaninë dhe mori mbi vete edhe drejtimin e saj.

Gjatë kohës kur kompania ishte në pronësi të Allajbeut, KKT miratoi lejen e parë për objektin 18-katësh. Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së lejes, Allajbeu e shiti kompaninë për 100 lekë disa Lefter Sotës, i cili u bë aksioneri i vetëm.

Pas blerjes, Sota aplikoi për ndryshimin e lejes nga 18 në 56 kate – kërkesë që mori miratim të menjëhershëm nga kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Nga babai te i biri: profili i familjes Sota

Lefter Sota ka operuar prej vitesh në tregun financiar dhe të çelikut, prej nga mori nofkën “Lefteri i çelikut”. I biri, Orest Sota, u bë i njohur publikisht për lidhjet e tij me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në automjetin e Orest Sotës, Prokuroria e Elbasanit gjeti dikur 853 mijë euro dhe patentat e lundrimit të Tahirit, por më vonë çështja ndaj tij u pushua.

Përfundimi: një kulla pa asnjë shpjegim

Ndërsa projekti fillestar për kompleksin 18-katësh u shfuqizua krejtësisht, projekti i ri – një kullë 56-katëshe – u miratua pa asnjë argumentim urbanistik, teknik apo transparent. Rritja e lartësisë dhe sipërfaqes ndërtimore rezulton të jetë bërë vetëm me një vendim të firmosur nga kryeministri.

Ndaj Postimin: