Shtrirja e shpejtë e shërbimeve ‘Bli tani, paguaj më vonë’ po kthehet në paralajmërim serioz ekonomik, teksa miliona konsumatorë po përdorin këtë financim edhe për ushqime, duke sinjalizuar stres të thellë financiar.
Kur Nigel Morris, bashkëthemelues i Capital One dhe një nga figurat më me ndikim në kreditimin ndaj klientëve me rrezik të lartë, shprehet i shqetësuar për ekonominë, tregu dëgjon me vëmendje. Morris, sot investitor në kompani të mëdha të BNPL si Klarna dhe Aplazo, paralajmëron se përdorimi masiv i këtij modeli po tregon diçka alarmante.
Gjatë një diskutimi në Web Summit në Lisbonë, ai tha se fakti që njerëzit po përdorin BNPL për të blerë ushqime është një sinjal i qartë se shumë familje po përballen me vështirësi të thella financiare. Të dhënat e fundit e mbështesin këtë shqetësim.
Sipas Empower, sot ka 91.5 milionë përdorues të BNPL në SHBA, ndërsa një anketë e LendingTree tregon se 25% e amerikanëve e përdorin këtë mënyrë financimi për ushqimet bazë. Kjo nuk lidhet me blerje luksi, por me nevoja të domosdoshme.
Problemi po zmadhohet nga fakti se shumë përdorues nuk po arrijnë të shlyejnë këstet në kohë. LendingTree raporton se 42% e përdoruesve kanë bërë të paktën një pagesë të vonuar në vitin 2025, një rritje e vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme.
BNPL po krijon një “borxh fantazmë”, pasi shumica e këtyre kredive nuk raportohen në regjistrat e kreditit. Kjo i lë institucionet financiare pa transparencë, duke mos parë nëse një klient ka marrë pesë ose dhjetë kredi të tilla në kompani të ndryshme.
Morris paralajmëron se ofruesit e BNPL shpesh nuk kontrollojnë historikun e kreditit dhe, po ashtu, nuk raportojnë këto borxhe, një kombinim që fsheh rrezikun real dhe i bën huamarrësit të padukshëm për sistemin financiar.
Të dhënat e Byrosë së Mbrojtjes së Financave të Konsumatorit (CFPB) tregojnë se rreth 63% e përdoruesve kanë marrë disa kredi BNPL njëkohësisht, ndërsa 33% kanë marrë kredi nga më shumë se një kompani. Ndërkohë, përdoruesit me kredi të dobët po miratohen në 78% të rasteve.
Ekonomia amerikane është sot më e rënduar për konsumatorët me të ardhura të ulëta. Shumë prej tyre tashmë përballen me kriza në pagesat e makinave, ndërsa borxhet e tjera rriten. Përkeqësimi i kushteve e shtyn edhe më shumë përdorimin e BNPL.
Ndërkohë, rregullatorët kanë ndryshuar qasje. Administrata Biden përpiqej të trajtonte BNPL si kredi të zakonshme, me mbrojtje më të forta për konsumatorët. Por administrata Trump ndryshoi kurs, duke tërhequr rregullat kyçe dhe duke ulur mbikëqyrjen.
CFPB madje publikoi një raport të ri që dukej shumë optimist, duke u fokusuar vetëm te përdoruesit e parë dhe duke thënë se 98% e subprime-ve i shlyejnë detyrimet. Por këto të dhëna ndeshen me normat reale të vonesave në pagesa, që janë shumë më të larta.
Kjo mospërputhje tregon boshllëkun e rrezikshëm në monitorimin e tregut: nuk ka të dhëna të sakta dhe të vazhdueshme për mënyrën si përdorohen këto kredi dhe si ndikojnë te ata që kanë disa BNPL njëkohësisht.
Disa shtete, si Nju Jorku, kanë nisur të kërkojnë licenca për kompanitë e BNPL, por rregullimi shtet më shtet krijon boshllëqe që kompanitë e mëdha mund t’i anashkalojnë lehtësisht.
Nigel Morris nuk e quan ende situatën një krizë. Ai thotë se ende nuk ka rritje të madhe të falimentimeve, por vëren qartë “re të zeza në horizont”. Papunësia është në nivelin më të lartë në katër vite dhe bizneset e vogla kanë frenuar investimet.
Në këtë mes është dhe rikthimi i detyrimit për rishtartimin e pagesave të kredive studentore, një barrë e cila prek miliona amerikanë që tashmë janë në vonesa ose në prag default-i.
Frika më e madhe e ekonomistëve nuk është vetë BNPL, por efekti domino. Pasi kreditë BNPL janë të vogla, shumë konsumatorë i paguajnë ato të parat, duke lënë pas dore borxhet më të mëdha si ato të makinave, kartave të kreditit apo kredive studentore.
Morris thotë se në kredi konsumatore ekziston një “test moral”. Nëse një produkt financiar nuk është i tillë që mund t’ia rekomandosh pa hezitim nënës tënde, atëherë nuk duhet t’u ofrohet qytetarëve.
Problemi po bëhet edhe më i madh teksa BNPL hyn në bankat tradicionale, në pagesat me celular, në kartat e debitit dhe në çdo platformë online. Klarna operon si bankë në Europë dhe Affirm ka miliona përdorues kartash.
Industria financiare po e adopton këtë model me shpejtësi. PayPal përpunoi 33 miliardë dollarë pagesa BNPL në vitin 2024, ndërsa bankat kryesore po e fusin këtë opsion në platformat e tyre.
Por rreziku më i madh qëndron te kalimi i BNPL në tregun e biznesit. Kur ndërmarrjet e vogla marrin BNPL, shpenzimet e tyre rriten mesatarisht 40%. Kjo përkthehet në borxh më të madh, më shpejt.
Disa fonde investimi po blejnë miliarda në borxh BNPL, duke e paketuar dhe shitur — një praktikë që kujton qartë ditët para krizës së vitit 2008. Kjo tregon se tregu po shkon drejt një modeli që dikur çoi në kolaps financiar.
Ndërkohë që fokusi global është te flluska e teknologjisë dhe investimeve në inteligjencën artificiale, problemi i BNPL po kalon nën radar, duke prekur amerikanët më të cenueshëm ekonomikisht.
Nigel Morris nuk parashikon një krizë të menjëhershme, por bën thirrje për vigjilencë të lartë. Pyetja e madhe mbetet nëse rregullatorët do të ndërhyjnë me kohë, përpara se borxhi i padukshëm të kthehet në problem real për gjithë ekonominë.


