Rama lavdëron qeverisjen, qytetarët shohin një realitet krejt tjetër

Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama përshkroi një Shqipëri me rritje ekonomike, paga më të larta dhe institucione efikase, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me çmime të larta, varfëri, largime masive dhe skandale korrupsioni.

Kryeministri Edi Rama përdori sërish podkastin e tij të përjavshëm “Flasim” për të paraqitur një panoramë optimiste të qeverisjes, duke folur për rritjen e ekonomisë, pagat, pensionet, investimet dhe institucionet. Ai i përmblodhi pretendimet e tij në një fjali të vetme, e cila për një pjesë të shqiptarëve tingëllon më shumë si realitet paralel sesa si përshkrim i gjendjes faktike.

Rama deklaroi se “ekonomia rritet, pensionet dhe pagat rriten, investimet shtohen, mbështetja për më të dobëtit është rritur, taksat nuk parashikohen të rriten dhe puna e institucioneve përmirësohet hap pas hapi”. Kjo frazë, që duket si një kartolinë ideale, bie ndesh me përditshmërinë e qytetarëve që luftojnë me çmime gjithmonë e më të larta dhe të ardhura të pamjaftueshme.

Në terren, rritja ekonomike është aq e fortë sa shqiptarët po e braktisin vendin masivisht për të kërkuar jetë më të mirë jashtë. Pagat dhe pensionet, të cilat qeveria i promovon vazhdimisht, mbeten shumë larg mbulimit të kostos reale të jetesës, sidomos në qytetet e mëdha.

Krahas kësaj, rënia e euros dhe tkurrja e eksporteve kanë sjellë mbylljen e disa fabrikave të huaja, duke goditur prodhimin dhe punësimin. Situata mbetet e rëndë edhe në sektorin e shëndetësisë, ku pacientët e Onkologjikut përballen çdo ditë me mungesë ilaçesh dhe pajisjesh, siç është raportuar nga KLSH dhe mediat vendase.

Institucionet, të cilat sipas Ramës po funksionojnë më mirë se kurrë, paraqiten krejt ndryshe në raportet e SPAK, që pothuajse çdo muaj zbulojnë afera të reja korrupsioni në administratë. Hetimet tregojnë se problemi është i thellë dhe i përhapur, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e qeverisjes dhe kontrollit institucional.

Megjithatë, kryeministri vazhdon të këmbëngulë se Shqipëria ndodhet në një nivel të ri respekti ndërkombëtar. Ai kujtoi mbledhjen e parë të përbashkët të qeverive Shqipëri–Itali, duke e cilësuar si ditë historike për vendin dhe si shenjë të rritjes së imazhit ndërkombëtar.

Po aq historike, por në sensin negativ, janë edhe skandalet e pastrimit të parave që kanë përfshirë Shqipërinë në raportet ndërkombëtare. Rasti i fundit është sanksionimi nga SHBA i familjes Hysa, e akuzuar për lidhje me kartelin e Sinaloas përmes aktiviteteve të tyre biznesore, disa prej të cilave janë zhvilluar edhe në Shqipëri. Emri i familjes është përmendur në media edhe për takime të mundshme me kryeministrin.

Kontrasti midis realitetit të prezantuar në podkast dhe përditshmërisë që jetojnë shqiptarët është bërë një nga temat më të diskutuara të momentit. Shqipëria e Ramës dhe Shqipëria e qytetarëve duket se ndahen nga një hendek gjithnjë e më i thellë.

Ndaj Postimin: