Shqiptarët me të ardhurat më të ulëta neto në Europë

Të ardhurat neto mesatare të ekuivalentuara tregojnë se Shqipëria renditet në fund të listës europiane me vetëm 3,075 euro për person, duke reflektuar presionin e lartë ekonomik mbi familjet.

Kostoja e jetesës në Shqipëri vazhdon të rritet me ritme të shpejta dhe familjet po përballen me vështirësi të theksuara për të mbajtur nën kontroll buxhetin mujor. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve kanë shënuar rritje të njëpasnjëshme, duke bërë që cilësia e jetës të bjerë ndjeshëm. Në këtë realitet, një tregues i rëndësishëm për të kuptuar gjendjen ekonomike është “të ardhurat neto mesatare të ekuivalentuara”.

Ky indikator llogarit të ardhurat mesatare për çdo anëtar të familjes, pasi merr në konsideratë madhësinë e saj dhe nivelin e taksave. Ai jep një panoramë shumë më të saktë të mirëqenies së qytetarëve dhe të aftësisë së tyre për të përballuar shpenzimet bazë.

Të dhënat për vitin 2024 zbulojnë një hendek të thellë mes vendeve të Europës. Shqipëria renditet e fundit me vetëm 3,075 euro të ardhura neto ekuivalente për person, shifra më e ulët e regjistruar në të gjithë rajonin e analizuar. Ky rezultat tregon se familjet shqiptare janë ndër më të ekspozuarat ndaj krizës së çmimeve.

Në Bashkimin Europian, vendi me të ardhurat më të ulëta është Bullgaria me 7,811 euro, më shumë se dyfishin e nivelit shqiptar. Ndërkohë, mesatarja e BE-së arrin në 21,582 euro për person, duke evidentuar edhe më shumë mospërputhjen ekonomike të rajonit me pjesën tjetër të kontinentit.

Në krye të listës europiane qëndron Luksemburgu me 50,799 euro të ardhura mesatare ekuivalente – mbi 16 herë më shumë se Shqipëria. Pas tij renditen Zvicra dhe Norvegjia, ndërsa Danimarka, Austria, Irlanda, Holanda dhe Belgjika regjistrojnë të ardhura që variojnë nga 30,000 deri në 35,000 euro për person.

Finlanda, Gjermania, Suedia dhe Franca mbeten të gjitha mbi mesataren e BE-së, duke konfirmuar një nivel të konsoliduar të mirëqenies. Ndërkohë, vendet e Europës Juglindore vazhdojnë të ndjekin ritme më të ngadalta zhvillimi, por asnjëra prej tyre nuk bie poshtë nivelit shqiptar.

Shqipëria, edhe pse jashtë BE-së, krahasohet me vendet e unionit përmes këtyre të dhënave dhe rezultate e nxjerrin vendin me ekonominë familjare më të dobët në gjithë Europën e zgjeruar të analizuar. Kjo situatë ngrit pikëpyetje mbi efektivitetin e politikave shoqërore dhe ekonomike, si dhe mbi aftësinë e familjeve për të përballuar sfidat e një tregu gjithnjë e më të shtrenjtë.

Në një realitet të tillë, ekspertët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të rritur të ardhurat e disponueshme, për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të mbështetur shtresat më të prekura, pasi rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës po përkeqëson çdo ditë situatën sociale në vend.

Ndaj Postimin: