Autoriteti i Sigurimit të Informacionit ka refuzuar certifikatat e sigurisë për 31 deputetë të PS dhe PD, pasi verifikimet kanë nxjerrë indicie për lidhje me çështje penale, mungesë integriteti dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme.
Ka nisur faza më e ndjeshme e filtrimit nga agjencitë e gjurmimit, që synojnë të verifikojnë figurën e zyrtarëve me dosje penale apo të dhëna për mospërputhje me kriteret e integritetit. Burime të besueshme bëjnë të ditur se procesi prek jo vetëm të emëruarit, por edhe deputetët e zgjedhur në Parlamentin e Shqipërisë.
Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), në bashkëpunim me agjencitë partnere të SHBA dhe BE, ka nisur zbatimin e parë konkret të ligjit të dekriminalizimit në raport me Kuvendin. Sipas informacionit të përcjellë për “Pamfleti”, ky institucion nuk ka lëshuar certifikata sigurie për 31 deputetë të PS-së dhe PD-së.
Raporti i dërguar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, përfshin listën e plotë të deputetëve që nuk plotësojnë kriteret ligjore për t’u pajisur me certifikatë sigurie. AKSIK është mbështetur në të dhënat që disponon nga verifikimet shumëplanëshe dhe indiciet për përfshirje në hetime apo në veprimtari të dyshimta.
Nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj rezultojnë 14 deputetë që nuk mund të pajisen me certifikatë sigurie: Sali Berisha, Flamur Noka, Fatmir Mediu, Gjin Gjoni, Albana Vokshi, Erisa Xhixho, Kliti Hoti, Xhelal Mziu, Arian Ndoja, Bledjon Nallbati, Edmond Haxhinasto, Klodiana Çapja, Luan Baçi dhe Brunilda Haxhiu.
Ndërsa nga radhët e Partisë Socialiste janë 16 deputetë: Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu, Ornaldo Rakipi, Agron Malaj, Loer Kume, Arkend Balla, Ani Dyrmishi, Tërmet Peçi, Pirro Dhima, Ceno Klosi, Klevis Jahaj, Xhenis Çela, Bujar Rexha, Saimir Hasalla, Olsi Komici dhe Agron Gaxho.
Burimet theksojnë se refuzimi bazohet në informacione specifike që AKSIK ka grumbulluar për secilin prej tyre. Shumë prej emrave janë aktualisht nën hetim nga SPAK dhe GJKKO, ndërsa të tjerë janë përmendur në dosje që lidhen me korrupsion, pastrim parash dhe bashkëpunim me grupe kriminale.
Përveç këtyre 31 emrave, janë në proces verifikimi edhe 25 deputetë të tjerë, për të cilët AKSIK ka kërkuar informacione të përditësuara nga Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, SHISH dhe agjencitë ndërkombëtare të sigurisë. Procesi pritet të zgjerohet edhe më tej gjatë javëve në vijim.
Situata është cilësuar paradoksale nga ekspertë të fushës, pasi verifikimi i integritetit duhej të kryhej në fazën e kandidimit, përpara hyrjes në parlament. Kontrolli post-faktum krijon dyshime të forta për funksionimin e sistemit të filtrimit dhe hap dyert për futjen e individëve me rekorde të dyshimta në institucionet më të larta të vendit.
Problemi merr përmasa edhe më serioze kur konsiderohet se disa prej këtyre deputetëve janë pjesë e komisioneve parlamentare ku qarkullojnë informacionet më sensitive të shtetit—nga siguria kombëtare, tek çështjet e brendshme, mbrojtja dhe politika e jashtme.
Debati pritet të intensifikohet, ndërsa Kuvendi dhe institucionet ligjzbatuese do të përballen me presionin publik për transparencë dhe përgjegjshmëri në lidhje me këtë listë tepër delikate.


