Protesta e mijëra të rinjve në Mexico City kundër qeverisë së Claudia Sheinbaum degjeneroi në përplasje të ashpra, duke lënë të paktën 120 të plagosur pas vrasjes së një kryebashkiaku që sfidonte kartelët e drogës.
Në Mexico City, një protestë e organizuar fillimisht nga brezi Gen Z kundër politikave të sigurisë së presidentes Claudia Sheinbaum mori përmasa të dhunshme të shtunën. Mijëra persona marshuan drejt qendrës së kryeqytetit, duke kërkuar më shumë siguri pas vrasjes së kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Alberto Manzo Rodríguez, një figurë që ishte kthyer në simbol të luftës kundër kartelëve.
Sipas autoriteteve, deri në 120 persona u plagosën, shumica policë. Shefi i sigurisë së Mexico City, Pablo Vázquez, deklaroi se protesta ishte paqësore për disa orë, derisa një grup individësh të maskuar nisën aktet e dhunës. Ai raportoi 100 efektivë të plagosur, 40 prej të cilëve u dërguan në spital, si dhe 20 protestues të lënduar.
Protestuesit mbanin pankarta dhe kapele me portretin e Manzos, i cili u vra më 1 nëntor pasi kishte nisur një ofensivë kundër grupeve kriminale në rajonin e tij. “Ai u vra sepse ishte i vetmi që guxoi t’i përballej krimit,” tha 65-vjeçarja Rosa Maria Avila, e ardhur nga Michoacan për të marrë pjesë në marshim.
Një tjetër protestues, 29-vjeçari Andres Massa, mbante flamurin me kafkën pirate – simbol global i protestave të Gen Z – ndërsa kërkonte “më shumë siguri dhe veprim të vërtetë kundër dhunës”. Shumë të rinj valëvitën të njëjtin simbol gjatë marshimit.
Protestuesit u mblodhën përpara Pallatit Kombëtar, ku jeton dhe punon presidentja Sheinbaum, duke rrëzuar disa nga barrierat metalike rreth godinës. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe fikëse zjarri, ndërsa turma godiste barrierat duke bërtitur: “Kështu duhej ta mbronit Carlos Manzon!”
Përplasjet u intensifikuan kur qindra të rinj nisën të hidhnin sende drejt forcave të sigurisë, të cilat përdorën mburojat dhe hodhën objekte mbrapsht drejt tyre. Si rrjedhojë, tensioni u përhap shpejt pranë qendrës historike të qytetit.
Sheinbaum, e cila mban mbi 70% mbështetje publike, ka qenë nën presion për shkak të disa vrasjeve të bujshme kohët e fundit. Në ditët para protestës, ajo akuzoi partitë e djathta se po përpiqeshin të infiltronin lëvizjen e të rinjve dhe se po përdornin bot-e online për të fryrë pjesëmarrjen. “Është një lëvizje e nxitur nga jashtë kundër qeverisë,” deklaroi ajo.
Pavarësisht akuzave, protesta e së shtunës tregoi një zhgënjim të thellë te të rinjtë dhe mbështetësit e opozitës, të cilët kërkojnë veprim më të ashpër ndaj krimit të organizuar në një nga vendet me nivelet më të larta të dhunës në botë.


