Trump sinjalizon vendimin për Venezuelën mes rritjes së tensioneve

Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se ka marrë një vendim për ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, ndërsa SHBA ka grumbulluar mijëra trupa dhe një flotë të fuqishme detare në Karaibe, duke rritur frikën për një konflikt të ri në rajon.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “ka vendosur pothuajse përfundimisht” kursin që do të ndjekë ndaj Venezuelës, pas disa informimeve të nivelit të lartë dhe një demonstrimi të madh të forcës ushtarake amerikane pranë territorit venezuelas. Burime të CNN konfirmuan se gjatë javës, Trump është informuar mbi opsione të detajuara për operacione brenda Venezuelës, përfshirë goditje ajrore dhe skenarë për largimin e presidentit Nicolás Maduro.

Ndërkohë, SHBA ka dislokuar në rajon më shumë se një duzinë anijesh luftarake dhe rreth 15 mijë trupa si pjesë e operacionit “Southern Spear”. Flota përfshin aeroplanmbajtësen gjigante USS Gerald R. Ford, mjete sulmuese amfibe, një nëndetëse dhe një numër avionësh F-35 të vendosur në Porto Riko, duke e kthyer këtë në qendrën kryesore të pranisë ushtarake amerikane në Karaibe.

Trump u shpreh për gazetarët se ka arritur në një vendim, por nuk mund ta bëjë publik ende. Ai zhvilloi dy takime të rëndësishme: një me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe kreun e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Dan Caine, dhe një tjetër me ekipin e gjerë të sigurisë kombëtare, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

Opsionet e paraqitura përfshijnë goditje ndaj infrastrukturës ushtarake të Venezuelës, shënjestrimin e rrugëve të trafikut të drogës ose edhe eliminimin e drejtpërdrejtë të Maduros. Megjithatë, Trump pritet të peshojë rreziqet e përfshirjes së trupave amerikane në një konflikt që mund të zgjasë dhe të ketë pasoja të paparashikueshme.

Ekspertët vlerësojnë se ky është grumbullimi më i madh ushtarak i SHBA-ve në rajon që prej pushtimit të Panamasë në vitin 1989. Nga ana e saj, Venezuela ka njoftuar mobilizim masiv të ushtrisë, armëve dhe pajisjeve luftarake, duke sinjalizuar se është gati për çdo skenar.

Një ndërhyrje që do ta rrëzonte Maduron do t’i jepte Trump-it një fitore të madhe politike: rikthimin e një lideri opozitar, zbutjen e flukseve të drogës dhe migracionit, si edhe mundësi për marrëveshje të reja energjetike. Por analistët paralajmërojnë se rreziqet janë serioze, sidomos nëse opozita venezuelase mbetet e fragmentuar dhe ushtria e Maduros nis një rezistencë të armatosur.

Maduro paralajmëroi se ndërhyrja amerikane mund të çojë në “një Gaza tjetër”, “një Afganistan të ri” ose “Vietnam përsëri”. Ai i bëri thirrje SHBA-ve të ndalin “dorën e çmendur të atyre që urdhërojnë bombardime dhe luftë në Amerikën e Jugut”.

Ndërkohë, përfshirja e zgjatur ushtarake rrezikon të përplaset edhe me bazën elektorale të Trump-it, e cila ka qenë e orientuar kundër luftërave të reja jashtë vendit. Zyrtarë republikanë paralajmërojnë se ai mund të mos gjejë mbështetje të qëndrueshme në Kongres për një operacion të tillë.

Ndërsa tensionet rriten dhe flotat lëvizin në Karaibe, SHBA dhe Venezuela duken më pranë një përplasjeje se kurrë më parë në dekadën e fundit.

Ndaj Postimin: