Raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës zbulon jo luftë ndaj abuzimeve në treg, por kërkesa për zyra të reja, ndërsa mungojnë ndëshkimet për monopole e oligopole që rëndojnë xhepat e qytetarëve.
Publiku priste që raportimi i Autoritetit të Konkurrencës në Parlament të sillte transparencë mbi mënyrën se si institucionet “e pavarura” mbronin konsumatorët nga çmimet e padrejta dhe praktikat oligopoliste. Në vend të hetimeve të thelluara, gjobave të ashpra dhe masave disiplinuese ndaj abuzuesve të tregut, fokusi u zhvendos krejtësisht: drejt nevojtores së institucionit, raporton Bold News.
Kreu i Autoritetit, Denar Biba, emër i njohur nga periudha në krye të KQZ-së dhe i përfshirë më herët në një audiopërgjim për ndërhyrje në Strasburg, paraqiti në Kuvend jo bilanc tregu, por kërkesën për ndërtesë të re. Biba deklaroi se 35 punonjëse ndajnë një tualet, se arkivat janë kthyer në rafte mbi mure dhe se ambientet janë të papërshtatshme, duke e konsideruar këtë si shqetësimin më urgjent të institucionit.
Por çfarë ka bërë realisht Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2024? Me 49 punonjës, shumica gra, institucioni ka kryer vetëm 11 monitorime dhe 8 hetime. Në asnjë prej tyre nuk janë vendosur gjoba dhe nuk është bërë asnjë referim penal, pavarësisht tregjeve të ndjeshme ku dyshimet për abuzime janë të vazhdueshme. Nga tetë hetimet, vetëm dy kanë prodhuar propozime për gjoba, ndërsa gjashtë kanë përfunduar me rekomandime të buta.
Raporti i institucionit liston hetime për çmimin e bukës, peshën dhe cilësinë e saj, analizën e tregut të fruta-perimeve, tarifat e taksive, siguracionet e detyrueshme dhe sektorë të tjerë ku qytetarët ndjejnë çdo ditë rritjet e çmimeve. Megjithatë, përfundimet janë thuajse identike: nuk ka shkelje, nuk ka dominim tregu, konkurrenca është “e ndershme”.
Për çudi, aty ku qytetarët shohin rritje të koordinuara çmimesh, Autoriteti sheh “normalitet tregu”. Dhe aty ku priteshin goditje ndaj oligopoleve, prodhohet vetëm një listë e dobët monitorimesh dhe raportesh pa ndikim praktik.
Në fund, teksa pritet raportimi i radhës në Parlament, pyetja që lind natyrshëm është: A do të ketë më shumë veprim për konkurrencën, apo më shumë nevojtore për Autoritetin?


