Gjimshiti flet për sfidën e madhe ndaj Anglisë në “Air Albania”

Kapiteni Berat Gjimshiti thotë se skuadra është e fokusuar maksimalisht ndaj Anglisë, duke pranuar se mendimet për play-off-in kanë qenë të pranishme, por tashmë qëllimi është vetëm ndeshja e së dielës.

Nga “Air Albania”, kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, doli para mediave në prag të përballjes ndaj Anglisë, që luhet nesër në orën 18:00. Mbrojtësi i Atalantës theksoi se Shqipëria ka siguruar play-off-in, por kjo nuk ul aspak përgjegjësinë për të dhënë maksimumin kundër një prej ekipeve më të forta në botë.

Ai deklaroi se Anglia është një kundërshtar gjigant, por Kombëtarja synon të tregojë karakter duke vënë në vështirësi ekipin britanik. “Ndeshja ka shumë rëndësi për ne dhe duhet të luftojmë për çdo centimetër të fushës,” u shpreh ai.

Sa i takon historikut të përplasjes, me shtatë humbje ndaj Anglisë, Gjimshiti tha se statistikat nuk janë fokusi i tij. Sipas tij, forma pozitive me tetë ndeshje pa humbje jep besim, por përballë Anglisë duhen të gjitha “armët” e mundshme në lojë.

I pyetur për duelin me Harry Kane dhe yjet e tjerë anglezë, kapiteni u tregua realist. “Të gjithë mbrojtësit në botë e kanë të vështirë me Kane,” tha ai, duke theksuar se skuadra mbron dhe sulmon si një trup i vetëm. Për të, balanca dhe përqendrimi mbeten vendimtarë. Gjimshiti shtoi me optimizëm se Shqipëria mund të jetë skuadra që i prish rekordin e paprekur.

Sa i përket play-off-it, kapiteni pranoi hapur se skuadra ka menduar për rivalët e mundshëm. “Edhe kundër Andorrës e kishim mendjen aty,” u shpreh ai, duke theksuar se tani fokusi i plotë është te Anglia dhe mësimet që mund të merren nga ekipe me kaq shumë cilësi.

Diskutimi kaloi edhe te cilësia e mbrojtjes kuqezi, një repart që këtë fushatë kualifikuese nuk ka pësuar gola. Gjimshiti tha se nuk i takon atij të gjykojë nëse është më i miri në histori, por pranoi se ekipi ka organizim të shkëlqyer dhe zbaton me disiplinë detyrat taktike.

Për duelin me Kane dhe Foden, mbrojtësi i Kombëtares theksoi se këta lojtarë kanë lëvizshmëri dhe aftësi të jashtëzakonshme. “Duhet komunikim konstant në fushë,” theksoi ai, duke nënvizuar se ndalimi i tyre kërkon koordinim të plotë.

Gjimshiti mbylli prononcimin me mesazhin se sfida ndaj Anglisë duhet shfrytëzuar për të fituar eksperiencë dhe vetëbesim para fazës vendimtare të play-off-it.

Në lajmin kryesor të ditës, trajneri Sylvinho ka konfirmuar se mund të ketë rotacion kundër Anglisë, duke thënë se Shqipëria është “shtëpia e tij”, ndërsa Gjimshiti vlerësoi sërish cilësitë e Harry Kane.

Ndaj Postimin: