Kuqezinjtë drejt historisë në rrugën e Botërorit 2026

Shqipëria siguron për herë të parë kualifikimin në Play Off-et e Botërorit, pas fitores ndaj Andorrës dhe humbjes së Serbisë në Angli, duke bërë një hap të madh drejt ëndrrës së madhe.

Shqipëria zhvilloi një natë historike duke siguruar zyrtarisht vendin në Play Off të Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë mposhtën Andorrën me rezultatin 0-1, ndërsa në të njëjtën kohë Serbia u mund 2-0 në transfertë nga Anglia, duke i hapur rrugë suksesit të madh të Kombëtares.

Ndeshja në Andorrë nisi me ritëm të mirë për skuadrën e Sylvinhos, që tregoi dëshirë të qartë për të gjetur shpejt avantazhin. Shqipëria e mori kontrollin e lojës dhe kërkoi golin me insistim që në minutat e para.

Rasti i parë i rrezikshëm erdhi nga një goditje dënimi e Kristjan Asllanit, por tentativa e tij kaloi pak centimetra jashtë portës, duke i mohuar avantazhin ekipit kuqezi.

Andorra nuk u dorëzua lehtë dhe u shfaq e rrezikshme në kundërsulme, duke e vënë disa herë në vështirësi portierin Strakosha. Aksionet e shpejta të vendasve krijuan tension në mbrojtjen shqiptare, por pa gjetur rrugën drejt golit.

Shqipëria iu afrua shënimit në fundin e pjesës së parë, kur pas një goditjeje këndi, Berat Gjimshiti u ndal vetëm nga traversa, duke humbur një mundësi të artë për avantazh.

Pjesa e dytë solli një ekip më agresiv dhe më të organizuar. Skuadra e Sylvinhos rriti presionin dhe gjeti golin me Kristjan Asllanin, i cili finalizoi me mjeshtëri një asist perfekt nga Myrto Uzuni, duke i dhënë kuqezinjve epërsinë vendimtare.

Fitorja e çoi Shqipërinë në vendin e dytë të Grupit K me 14 pikë, katër më shumë se Serbia një ndeshje para fundit. Kjo e siguron matematikisht pjesëmarrjen në gjysmëfinalen e Play Off-it për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar.

Dy ndeshjet e ditës së djeshme mbyllën llogaritë e grupit: Shqipëria fitoi minimalisht ndaj Andorrës, ndërsa Anglia vazhdoi dominimin duke mundur Serbinë 2-0 dhe duke ruajtur portën të paprekur në gjithë fushatën kualifikuese.

Sfida e radhës për kuqezinjtë është ndaj Anglisë në “Air Albania”, këtë të diel, një duel që premton atmosferë të zjarrtë dhe emocion të madh. Serbia, nga ana tjetër, do të kërkojë të mbyllë kualifikueset kundër Letonisë.

Ndaj Postimin: