Qeveria planifikon të derdhë edhe 30 milionë euro deri në vitin 2028 për inceneratorin e Tiranës, një projekt që nuk ekziston ende dhe që ka konsumuar ndër vite miliona pa asnjë investim real.
Qeveria shqiptare ka përfshirë në projektbuxhetin 2026 një tjetër shumë marramendëse për inceneratorin e Tiranës, duke angazhuar edhe 30 milionë euro shtesë për periudhën 2026–2028. Ky financim vjen pavarësisht faktit se impianti nuk ka filluar të ndërtohet dhe vijon të mbetet një projekt “fantazmë”, raporton Monitori.
Prej vitesh, pagesat për këtë kontratë PPP kryhen me një rregullshmëri që tejkalon madje kontratat e tjera të investimeve publike. Ndërkohë, kryeqyteti vazhdon të hedhë mbetjet në landfillin e Sharrës, pa asnjë shenjë të impiantit të premtuar.
Ministria e Financave ka justifikuar pagesat me argumentin se kontrata duhet respektuar për të shmangur penalitetet, duke pranuar se marrëveshja është hartuar dobët dhe favorizon disbursime pa ecuri të punimeve. Kjo praktikë bie ndesh me ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon pagesa pa situacione të verifikuara punimesh.
Derimë 22 tetor 2025, buxheti i shtetit ka paguar mbi 8.9 miliardë lekë, më shumë se 90 milionë euro, për një objekt që fizikisht nuk ekziston, sipas të dhënave të Open Data Albania. Shifra tregon qartë se fondet publike janë përdorur për një projekt që nuk ka asnjë gjurmë konkrete në terren.
Bashkia e Tiranës, nga ana tjetër, përfshin çdo vit miliona euro për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që kontrata e inceneratorit parashikon edhe fazën e djegies me prodhim energjie. Kjo fazë nuk ka nisur asnjë ditë dhe deri tani ka djegur vetëm para të taksapaguesve.
Në vitet 2016–2017, qeveria parashikoi ngritjen e tre inceneratorëve: në Elbasan me kapacitet 140 ton/ditë, në Fier me 200 ton/ditë dhe në Tiranë me 920 ton/ditë. Elbasani dhe Fieri, të ndërtuar përmes PPP-ve, sot janë jashtë funksionit dhe rezultuan kontrata tërësisht korruptive, siç ka provuar SPAK.
Ndryshe nga dy të parët, kontrata 30-vjeçare e inceneratorit të Tiranës vazhdon të paguhet rregullisht. Ajo vlen 128 milionë euro dhe fondet e saj parashikohet të disbursohen plotësisht deri në vitin 2028. Deri tani është paguar mbi 70% e shumës pa ngritur asnjë strukturë.
Sipas planifikimeve të qeverisë, tre impiantet së bashku do të përpunonin 43% të mbetjeve të vendit. Sot, me inceneratorët jashtë funksionit, Shqipëria përballet me një krizë të thellë mjedisore dhe pa asnjë strategji të qartë për menaxhimin e mbetjeve.
Kjo mungesë vizioni po çon drejt një situate absurde: vitin e ardhshëm, mbetjet e Përrenjasit, Librazhdit, Elbasanit, Fierit, Lushnjës e zonave të tjera pritet të transportohen deri në Shkodër. Transporti i përditshëm në distanca të tilla do të rrisë ndjeshëm kostot dhe do të rëndojë një infrastrukturë që tashmë është e mbingarkuar.
Përdorimi i Shkodrës si depozitë për gjysmën e vendit krijon një tjetër problem madhor, sidomos kur hapësirat për landfille pranë qyteteve të mëdha nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Ky veprim tregon qartë një qeverisje të çorientuar, e cila vijon të financojë projekte të dështuara, ndërsa qytetarët përballen me pasoja mjedisore dhe financiare gjithnjë e më të rënda.
Në një kohë kur vendi ka nevojë për politika serioze dhe transparente, inceneratori i Tiranës mbetet shembulli më i qartë i dështimit institucional dhe i abuzimit me fondet publike.


