Prej më shumë se një dekade, Bashkia Dimal po udhëhiqet nga një model administrimi që ngjan më shumë me një faqe Instagrami sesa me një institucion që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve. Nën drejtimin e kryetares Juliana Mema, aktivitetet e zbukuruara në rrjetet sociale, vizitat pa thelb dhe promovimet pa përmbajtje janë kthyer në normë, ndërkohë që problemet reale të komunitetit injorohen.
Qytetarët në qytetin e Urës Vajgurore, të drejtuar nga Albano Koro, si edhe në qendrat administrative Poshnje me drejtues Hasan Lilen, Kutalli me drejtues Miço Rakazin dhe Çukalat me drejtues Donald Kordhën, së bashku me punonjës të tjerë të bashkisë, jetojnë nën rrjetin show të kryebashkiakes, me shpresën se një ditë faqja e realitetit do të ndryshojë, pavarësisht shpërndarjes së fotove nën propagandën e pushtetit. Ndërkohë, rrugët mbeten të amortizuara, ndriçimi mungon, kanalizimet janë të dëmtuara, mbeturinat pranë lumenjve janë bërë normale dhe mungesa e investimeve është pjesë e përditshmërisë. Asgjë nuk është e prekshme për qytetarët, përveç zhgënjimit të përditshëm. Kjo bashki nuk justifikon asgjë nga puna e saj, edhe pse kryeministri shprehet për lirimin e hapësirave publike, një nismë që nuk pasqyrohet aspak, për shkak të nepotizmit të vazhdueshëm.
Administrata vendore, në vend që të jetë në terren për zgjidhjen e problemeve, shpesh shihet në kafenetë e zonës me dosje bosh nën sqetull ose duke ndarë postime me filtër në rrjet. Zyrat e bashkisë janë kthyer në një sallon estetik ku, në vend të projekteve për qytetarët, në plan të parë del parfumi i shtrenjtë dhe karrigia e ngrohtë.
Punonjësit e bashkisë, në vend që të jenë zgjidhës të halleve të njerëzve, janë bërë pjesë e një rutine që u shërben vetes dhe jo komunitetit. Efektivët e policisë bashkiake janë kthyer në personazhe si “Veseli” në filmin “Koncert në vitin 1936”, duke i shërbyer kryetares dhe jo qytetarëve. Në rrugët e Dimalit, qytetarët flasin ashpër për drejtuesit, për premtimet e pambajtura, për arrogancën e një administrate që nuk sheh përtej ekranit të telefonit dhe për mungesën e shpresës se diçka do të ndryshojë.
Banorët nuk kërkojnë mrekulli, duan rrugë të kalueshme, ndriçim në lagje, kanalizime që funksionojnë dhe respekt për taksat që paguajnë. Duan një bashki që punon për ta, jo drejtues që përdorin pushtetin për vetëlavdi dhe shfaqje boshe në rrjetet sociale.
Është koha që Bashkia Dimal të kthehet nga rrjetet sociale, në realitet. Të kthehet nga fasada te përmbajtja. Nga propaganda te veprimi konkret. Dhe mbi të gjitha, t’u ofrojë qytetarëve atë që meritojnë: shërbim dinjitoz dhe zhvillim të prekshëm.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


