Dyshime për lidhje familjare dhe favorizime: “kunetërit” e mikrokredive që tronditën Policinë e Shtetit

Nga arratisja te arrestimi me dorëzim i Alban Kotës, historia e lidhjeve të dyshuara mes biznesit të mikrokredive, policisë dhe drejtësisë shqiptare po rikthehet në qendër të debatit publik.

Në tetor 2024, Policia e Shtetit publikoi një njoftim të zakonshëm për “ekzekutimin e një vendimi penal” ndaj shtetasit A. K., 43 vjeç, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Pas këtij njoftimi që kaloi pa shumë bujë, fshihej një histori më e madhe: bëhej fjalë për arrestimin e Alban Kotës, një nga figurat kryesore të skemës së mikrokredive, i lidhur ngushtë me emra si Arben Meskuti dhe Olsi Ibro, raporton Prapaskena.

Pesë muaj përpara “arrestimit” formal, Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar urdhër ndalimi për disa anëtarë të grupit që kishte mashtruar mijëra qytetarë përmes kompanive të kredive të vogla. Gjatë aksionit të majit 2024, u arrestuan të gjithë të akuzuarit, përveç Alban Kotës, i cili u zhduk pa lënë gjurmë. Pyetja që mbeti pezull: kush e paralajmëroi për arrestimin e afërt?

Emri që del në qendër të dyshimeve është ai i kunatit të tij, Renato Ibrahimi, një oficer në Drejtorinë e Policisë Tiranë, me detyrë në Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, i njëjti sektor që hetonte mashtrimet e mikrokredive. Motra e Alban Kotës, Olta Ibrahimi, është bashkëshortja e këtij oficeri dhe punonjëse në ABI Bank.

Renato Ibrahimi, i cili prej vitesh ka qenë pjesë e një strukture të vogël por me peshë në policinë e Tiranës, dyshohet se ka pasur dijeni për operacionin ndaj kunatit të tij. Për ironi, në të njëjtin sektor ku ai punon janë depozituar dhjetëra kallëzime për mashtrimet financiare të mikrokredive, skemë ku, sipas dokumenteve, Kote ishte një nga drejtuesit.

Nga jeta që ai paraqet publikisht, Ibrahimi duket i qetë dhe i suksesshëm. Me bashkëshorten e tij ai ka hapur që në vitin 2020 një restorant peshku në Rrugën e Kavajës, ndërsa postimet në rrjete sociale tregojnë udhëtime, motorë të shtrenjtë dhe një stil jetese luksoz, që ka ngjallur dyshime për përputhjen e të ardhurave me pagën e një oficeri policie.

Burime nga grupi hetimor pohojnë se Ibrahimi ka miqësi të afërt me Aldi Zonjën, një tjetër emër i përfshirë në një çështje madhore të trafikut ndërkombëtar të drogës, arrestuar nga SPAK në nëntor 2024. Kjo lidhje shton dyshimet për ndikimin dhe rrjetet që bashkojnë figura nga biznesi, policia dhe kriminaliteti.

Në të njëjtën kohë, vëllai i oficerit, Juglerd Ibrahimi, është përfshirë në hetime të tjera për ndërtimin e një impianti energjie pa leje në Delvinë, në bashkëpronësi me biznesmenin Sokol Meqemeja. Ai figuron administrator në disa kompani energjetike dhe ndërtimi që merren me investime të mëdha, duke e shtrirë ndikimin e familjes Ibrahimi edhe në sektorë strategjikë.

Por skandali i mikrokredive mbetet qendra e gjithë kësaj historie. Nga maj 2024 deri në tetor të atij viti, Alban Kote ishte zhdukur. Ndërsa pjesa tjetër e grupit përfundoi në paraburgim, ai u dorëzua vetë në polici pesë muaj më vonë, i shoqëruar nga një avokat. Pyetja që lind është nëse dorëzimi ishte një akt i koordinuar me ndihmën e njerëzve që ai njihte në sistem.

Pas dorëzimit, akuza ndaj tij u rëndua. Nga “Shpërdorim detyre”, ajo kaloi në “Mashtrim me pasoja të rënda”. Por vetëm pak javë më pas, gjykata e Apelit Tiranë, me relatore gjyqtaren Elona Toro, vendosi ta lirojë nga burgu dhe ta dërgojë në “arrest shtëpie”. Vendimi u mor më 12 nëntor 2025 dhe mbetet i paqartë në arsyetim publik.

Ironikisht, adresa ku Kote do të vuajë “arrestin” është në kompleksin “Delijorgji”, një zonë luksoze e Tiranës, e njëjta ku jeton edhe kunati i tij, oficeri Renato Ibrahimi. Të dy, sipas banorëve, njihen për makinat e tyre luksoze dhe për prezencën e shpeshtë në zonë, çka e bën të vështirë të besohet se nuk kanë kontakte.

Kjo koincidencë ka ngritur dyshime të thella për konflikt interesi brenda Policisë së Shtetit dhe për mënyrën se si drejtësia trajton të akuzuarit e profilit të lartë ekonomik. Rasti i Alban Kotës është vetëm një ndër shumë shembuj që nxisin pyetjen nëse strukturat ligjzbatuese janë të paprekshme nga ndikimet familjare e financiare.

Në korrik 2024, e njëjta gjyqtare Elona Toro kishte liruar nga qelitë edhe shumicën e të arrestuarve të tjerë të grupit të mikrokredive, me miratimin e prokurores së Apelit, Arta Marku. Vetëm Arben Meskuti dhe Aldo Daka mbetën në burg. Për shumëkënd, kjo seri vendimesh shënon një krizë besueshmërie për sistemin gjyqësor shqiptar.

Sot, më shumë se një vit pas “goditjes së madhe” ndaj skemës së mikrokredive, një pjesë e protagonistëve ndodhen të lirë dhe po presin hetimet e SPAK-ut në apartamente luksoze. Ndërkohë, mijëra qytetarë që ranë viktimë e skemës ndodhen ende në borxhe, pa një zgjidhje të drejtësisë.

Në përvjetorin e 100-të të Bankës së Shtetit Shqiptar, ky skandal mbetet njollë e errët mbi sistemin financiar dhe ligjor të vendit. Grupi i mikrokredive dyshohet se ka dëmtuar financiarisht më shumë se 100 mijë qytetarë shqiptarë. E megjithatë, ndryshe nga “jakat e bardha” që kanë përfunduar në burg, “kunetërit” e mikrokredive vazhdojnë të jetojnë të lirë, duke e kthyer drejtësinë në një ironi të hidhur për qytetarët e zakonshëm.

Ndaj Postimin: