Dosja e SPAK: Si Suel Çela dhe krimi i organizuar kontrolluan gjykatën e Elbasanit

Hetimi i fundit i SPAK mbi grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan ka zbuluar në detaje kontrollin që krimi i organizuar ka ushtruar mbi Gjykatën e Elbasanit.

Në qendër të këtij skandali qëndron gjyqtarja Pajtime Fetah, e cila duket se ka vepruar në shërbim të drejtpërdrejtë të interesave kriminale të Çelës.

Në komunikimet e përgjuara përmes aplikacionit SkyEcc, Pajtime Fetah i drejtohet Çelës me epitetet “Ylli i sabahut,” “zemër,” dhe “vetëm ty të kam,” duke reflektuar një varësi të thellë emocionale dhe profesionale ndaj tij. Nga ana tjetër, Suel Çela tregohet më i përmbajtur, por i qartë në qëllimet e tij: përdorimin e gjyqtares për të mbyllur dosjet e tij dhe të bashkëpunëtorëve, duke siguruar kështu vijueshmërinë e aktivitetit kriminal.

Një nga momentet më të rëndësishme të dosjes është pretendimi i Çelës se ka ndikuar personalisht tek Ilir Meta, atëherë President i Republikës dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), për të rikthyer Pajtime Fetahun në detyrë pas pezullimit të saj. Ky ndikim i pretenduar vjen në një kohë kur Meta akuzohej për dy standarde në trajtimin e kërkesave për rikthim në sistem të gjyqtarëve.

Shkurt 2017

Në shkurt të vitit 2017, Pajtime Fetahu u pezullua nga detyra dhe ndaj saj nisi një procedim disiplinor nga KLD, pas transmetimit të një materiali investigativ në emisionin “Stop” në TV Klan. Në material u zbuluan përgjime ku gjyqtarja kërkonte 2,000 euro për lirimin e një të burgosuri të quajtur Kristjan Leka.

Megjithatë, në shtator të po atij viti, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli çështjen ndaj Fetahut, duke deklaruar se nuk kishte prova të mjaftueshme për përfshirjen e saj në korrupsion. Kjo çoi në transferimin e dosjes së dy sekserëve në prokurorinë e zakonshme, ndërsa vetë gjyqtarja kërkoi rikthimin në sistem.

Nga maji 2017 deri në maj 2018, KLD-ja nuk e përfshiu në rendin e ditës kërkesën e Fetahut për t’u rikthyer si gjyqtare. Vendimmarrja për këtë çështje ndodhi vetëm pasi Ilir Meta mori postin e Presidentit të Republikës. Në maj të 2018-ës, KLD-ja miratoi rikthimin e saj, një lëvizje që sipas komunikimeve të përgjuara, erdhi pas ndërhyrjes së Suel Çelës.

Fuqia e ndikimit të Çelës tek Meta nuk është një rast i izoluar. Në vitin 2011, një video-skandal i publikuar nga ish-ministri Dritan Prifti tregonte qartë sesi Meta ishte i prekshëm ndaj ndërhyrjeve nga individë të fuqishëm. E njëjta logjikë duket se ka vepruar edhe në rastin e rikthimit të Pajtime Fetah në detyrë.

Tjetër procedim disiplinor

Por problemet për gjyqtaren Fetahu nuk përfunduan me këtë rikthim. Në nëntor të vitit 2021, ajo iu nënshtrua një tjetër procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas publikimit të fakteve të reja në emisionin “Stop.” Për këtë arsye, Këshilli i Lartë Gjyqësor aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%, për shkak të cënimit të figurës së gjyqtarit dhe mungesës së paanshmërisë në vendimet gjyqësore.

Në episodin investigativ të 31 janarit 2017, u zbulua se Fetahu kishte marrë një shumë monetare për të ulur dënimin e një të pandehuri që akuzohej për tre vepra penale. Kjo situatë diskreditonte rëndë integritetin e saj profesional dhe ngre dyshime të mëtejshme për motivet e ndërhyrjeve ndaj drejtuesit të emisionit, Saimir Kodra.

Rasti i Suel Çelës dhe gjyqtares Pajtime Fetahut është një shembull shqetësues i kapjes së sistemit gjyqësor nga krimi i organizuar dhe ndërhyrjet politike. Ndërkohë që drejtësia në Elbasan duket e paralizuar nga këto lidhje të dyshimta, SPAK vazhdon të zbulojë të vërtetën e errët që qëndron pas këtij rasti.

Ky skandal është një thirrje për një reformë të thellë dhe të menjëhershme në sistemin e drejtësisë, për të garantuar që organet e drejtësisë të jenë të pavarura nga krimi dhe politika.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera