Dimal: Mbeturinat “mbulojnë” lumin Seman, institucionet heshtin!

Këto pamje të ditës së sotme tregojnë një realitet të hidhur: mbeturinat po hidhen pa kriter buzë lumit Seman, duke e kthyer brigjet e tij në një landfill ilegal, me pasoja të rënda mjedisore dhe shëndetësore.

Bashkia Dimal, në krye me kryebashkiaken Julina Mema dhe drejtuesin e Njësisë Administrative Poshnje, Hasan Lila, vijojnë të shpërfaqen në rrjete sociale me “kartolina propagande”, ndërsa në terren situata është e zymtë dhe në përkeqësim të vazhdueshëm.

Pavarësisht urdhrit të kryeministrit për ndalimin e hedhjes së mbetjeve buzë lumenjve, ky fenomen është kthyer në normë, duke ndotur ujin, tokën dhe përfundimisht detin Adriatik.

Banorët hezitojnë të flasin, të trembur nga hakmarrja institucionale, por shprehin zhgënjim dhe mosbesim të plotë ndaj drejtuesve vendorë, të cilët, sipas tyre, “as premtojnë, as zgjidhin”.

TV Apollon i është drejtuar vazhdimisht Bashkisë Dimal për këtë situatë emergjente mjedisore, por drejtuesit refuzojnë të komunikojnë, duke treguar mungesë të thellë transparence dhe përgjegjësie publike.

Problem nuk janë vetëm mbeturinat. Rrugët kryesore në njësitë administrative si Cukalat, Kutalli, Poshnje dhe Ura Vajgurore ndodhen në gjendje të mjerueshme, me mungesë ndriçimi, sinjalistike dhe mirëmbajtjeje.

Në një bashki ku administrata fryhet çdo ditë, por shërbimet mungojnë, qytetarët ndihen të braktisur dhe të shpërfillur – të vetmuar përballë një realiteti ku arroganca e pushtetit mbyt çdo ndjeshmëri qytetare.

Mjedisi po thërret për ndihmë, por institucionet zgjedhin të heshtin.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033