Shqiptari i zhdukur dhe zbulimi tronditës në Greqi

Policia greke dyshon se trupi i gjetur i djegur në makinë në Skourta mund t’i përkasë 27-vjeçarit shqiptar, ndërsa ADN-ja pritet të japë konfirmimin përfundimtar.

Policia greke është përballur me një skenë të rëndë krimi në zonën e Skourta-s, Viotia, ku një trup i pajetë u gjet i prangosur në sediljen e pasme të një automjeti të djegur. Hetimet e para flasin se viktima është qëlluar me armë zjarri përpara se makina të vihej në flakë.

Dyshimet kryesore lidhen me identitetin e të riut shqiptar Sulo Halili, 27 vjeç, me origjinë nga fshati Becisht i Tepelenës. Ai ishte shpallur i zhdukur që prej pasdites së 4 nëntorit, pasi u largua nga banesa e tij në Halkida dhe nuk u kontaktua më me familjarët. Ndërkohë, automjeti i tij u gjet i braktisur disa ditë më vonë në zonën e Vilia-s, pranë Athinës.

Sipas të dhënave, Halili ishte rreth 1.70 metra i gjatë, trup i imët, flokë dhe sy ngjyrë kafe. Në krahun e majtë mbante një tatuazh karakteristik me dy trëndafila, një yll dhe disa shkronja. Ditën e zhdukjes kishte veshur një këmishë të zezë, pantallona Cargo të zeza dhe atlete të bardha.

Mjeti ku u gjet trupi rezulton i vjedhur në Glifadha dhe mbante targa të falsifikuara, të cilat përputheshin me targat e një automjeti të ngjashëm në Katerini. Hetuesit dyshojnë për një ekzekutim të planifikuar, duke marrë parasysh mënyrën e veprimit dhe përpjekjen për të zhdukur çdo gjurmë.

Pista kryesore që po shqyrtohet është lidhja e mundshme e viktimës me individë të përfshirë në aktivitete kriminale. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë thjesht viktimë e një konflikti ose hakmarrjeje të ndërlikuar.

Rezultatet e analizave të ADN-së pritet të përfundojnë brenda pak ditësh dhe do të përcaktojnë zyrtarisht identitetin e viktimës. Familja e të riut në Greqi dhe Tepelenë po pret konfirmimin me ankth dhe dhimbje.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë, me policinë greke që kërkon të rindërtojë lëvizjet e fundit të 27-vjeçarit dhe personat me të cilët ai ka pasur kontakte para zhdukjes së tij. Autoritetet nuk përjashtojnë as arrestime në vijim, pasi rasti konsiderohet i ndjeshëm dhe me elementë të një krimi të rëndë të organizuar.

Ndaj Postimin: