Mario Mitaj kërkon fokus maksimal ndaj Andorrës, duke e cilësuar ndeshjen vendimtare për vazhdimësinë e ecurisë pozitive të Kombëtares.
Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në Barcelonë, ku po përgatitet për dy sfidat e fundit të fazës kualifikuese kundër Andorrës dhe Anglisë, të vlefshme për Botërorin 2026. Kuqezinjtë vijnë në një moment të mirë, pas tre fitoreve radhazi që kanë rritur ndjeshëm moralin e grupit.
Mbrojtësi Mario Mitaj, në një prononcim për faqen zyrtare të FSHF-së, theksoi se për skuadrën rëndësi të veçantë ka ndeshja ndaj Andorrës, e cila sipas tij kërkon vëmendje dhe përqendrim të lartë. Ai u shpreh se ekipi duhet të hyjë në fushë me mentalitet fitues dhe pa nënvlerësuar kundërshtarin.
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Sidomos e para ndaj Andorrës, ku duhet të jemi të gjithë maksimalisht të fokusuar. I njohim kundërshtarët dhe e dimë çfarë na pret,” u shpreh Mitaj, duke theksuar se skuadra është e motivuar dhe në formë të mirë.
Mbrojtësi kuqezi nënvizoi se ekipi është në një moment pozitiv pas rezultateve të fundit, ndërsa objektivi është vetëm fitorja. “Është një ndeshje që duhet ta fitojmë patjetër. Të gjithë çunat janë në formë shumë të mirë dhe të karikuar,” tha ai.
Mitaj vlerësoi lojën mbrojtëse të Andorrës, duke theksuar se diferenca do të vijë nga mënyra se si Shqipëria do të hyjë në lojë. “I njohim kundërshtarët, mbrohen shumë dhe qëndrojnë prapa, por gjithçka varet nga ne, sa të përqendruar do jemi.”
Ai foli edhe për formën e tij në klub, duke u shprehur se performanca e mirë në ekipin e tij ndihmon edhe paraqitjet me Kombëtaren. Mitaj shtoi se ndihet i kënaqur me ecurinë personale dhe pret që kjo të reflektohet në fushë.
Në mbyllje, mbrojtësi theksoi objektivin e qartë të grupit: sigurimin e play-off-it. “Jemi shumë afër. Na duhen këto dy ndeshje. Fillimisht fitorja me Andorrën dhe më pas përballemi me Anglinë. Qëllimi ynë është kualifikimi.”


