Në fshatin kodrinor të Hysgjokajt, në njësinë administrative Hysgjokaj, zona e Darrasës, Lushnjës, familja e Dashamir Sharkës ka hyrë në një shtëpi të re, falë një bashkëpunimi mes Bashkisë Lushnje dhe donatorëve nga Holanda.
Ky projekt rikonstruksioni i plotë, i realizuar me mbështetjen e organizatës humanitare “New Day Impact”, solli një ndryshim të madh në jetën e kësaj familjeje në nevojë, duke u ofruar kushte bashkëkohore jetese, atje ku më parë mbizotëronte varfëria dhe pamundësia për të investuar.
Me përkushtimin e kryebashkiakes Eriselda Sefa dhe stafit të saj, familja Sharka përjetoi një ditë të veçantë gëzimi në këto ditë të freskëta nëntori, ku solidariteti dhe humanizmi triumfuan mbi vështirësitë ekonomike.
“Bamirësia nuk të varfëron”, u tha në ceremoninë e dorëzimit të çelësave, ku përfaqësues të Bashkisë dhe organizatës holandeze falënderuan komunitetin dhe kontribuesit që bënë të mundur këtë vepër me vlerë.
Ky është një shembull se si bashkëpunimi institucional dhe shpirti human mund të sjellin ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


