Fermerët e Myzeqesë në udhëkryq, bujqësia shqiptare në krizë!

Bujqësia në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Myzeqesë, po përballet me sfida serioze. Fermerët, të cilët ndër vite janë angazhuar me përkushtim në kultivimin e produkteve bujqësore si domatet, specat dhe kastravecat, ndodhen sot përballë një krize të thellë ekonomike dhe mungese mbështetjeje institucionale.

Fermeri Armen Çjapi, i cili ka mbi 20 vite eksperiencë në prodhimet bujqësore në sera, shprehet se situata është më e keqja e viteve të fundit. Sipas tij, kthimi i prodhimeve të huaja në tregun shqiptar ka ndikuar ndjeshëm në shitjen e prodhimeve vendase, duke i vendosur fermerët përballë një realitet të dhimbshëm: produktet shqiptare mbeten nëpër sera, ndërsa çmimet nga pikat grumbulluese shkojnë vetëm 30-40 lekë për kg, çka nuk mbulon as 10% të kostove të prodhimit.

Fidani, puna, uji, plehrat dhe gjithë energjia që shkon për të nxjerrë një produkt cilësor po shkojnë dëm, pasi tregu nuk ekziston ose është i padrejtë, shprehet Çjapi, duke i bërë thirrje institucioneve shtetërore për ndërhyrje urgjente dhe politika të qarta në mbështetje të fermerëve.

Në një kohë kur bujqësia duhet të ishte një shtyllë e fortë e ekonomisë kombëtare, fermerët po përballen me falimentim, mungesë tregu, dhe injorim total nga strukturat shtetërore. Kriza në bujqësi nuk është vetëm krizë e fermerëve, por krizë e sigurisë ushqimore dhe ekonomisë së vendit.

Fermerët kërkojnë: mbështetje financiare, garantim tregu për produktet vendase, transparencë në grumbullim dhe politika mbrojtëse ndaj importit të pamatur. Nëse nuk merren masa, fshati dhe bujqësia rrezikojnë të braktisen përfundimisht.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: