Rrjeti i tenderave në Jug, Apis Construction dhe lidhjet që ngrenë dyshime për favore publike

Kompania Apis Construction është kthyer në një nga përfitueset kryesore të tenderave në jug të vendit, me dyshime për lidhje politike dhe skema kalimi pronësie që fshehin pronarët e vërtetë.

Apis Construction u themelua në vitin 2014 me emrin “Global Service Consulting”, nga shtetasi Besnik Binjakaj. Pas regjistrimit, kompania u pezullua për shtatë vite rresht, pa aktivitet dhe pa lëvizje financiare. Ringritja e saj nisi vetëm në vitin 2022, duke u bërë më pas një nga kompanitë që ka fituar tendera publikë me vlera të mëdha.

Menjëherë pas riaktivizimit, Binjakaj ia dhuroi aksionet Ervin Tartarajt, një emigrant që jeton në Itali. Kjo lëvizje shihet si kalim formal, pasi Tartaraj figuron vetëm në letra. Në të njëjtën periudhë, Gloria Taçe u emërua administratore e kompanisë dhe mori përkohësisht 50% të aksioneve, të cilat më pas ia riktheu sërish Tartarajt, sërish me dhurim, pa detyrim tatimor.

Në sipërfaqe, veprimet duken të rregullta. Por Apis nuk operon në treg të lirë, por merr kontrata publike me shuma të mëdha. Këtu nis të bëhet e dukshme lidhja me pronarin që fshihet pas kompanisë. Sipas të dhënave të mbledhura, drejtuesi real është Sibjon Çobaj. Ai është bashkëshorti i Glorias Taçe dhe nip i biznesmenit të njohur Artan Sako.

Çobaj kontrollon një rrjet kompanish që funksionon ngushtë me tenderat publikë. Një prej tyre është “Sire Alb”, e cila harton projektet teknike për punët publike. Më pas, të njëjtat projekte shpallen në garë dhe fitohen nga Apis Construction ose kompania tjetër 2T, që lidhet po me familjen Sako. Në këtë mënyrë, projekti dhe ekzekutimi mbeten në të njëjtën dorë, duke mbyllur konkurrencën.

Rritja e kompanisë ka qenë e menjëhershme dhe e pazakontë. Në vitin 2022, xhiroja vjetore ishte rreth 7 milionë lekë. Vitin e kaluar arriti në 86 milionë lekë, një rritje gati 10-fish brenda dy viteve. Burime nga terreni tregojnë se tenderat në bashkitë e Jugut po jepen vazhdimisht në favor të Apis dhe rrjetit përreth saj.

Ndërkohë, bashkitë ku këto kontrata janë përqendruar shfaqin një model të përsëritur: projektet hartohen nga kompani të afërta me Çobajn dhe zbatohen po prej tyre, duke eliminuar konkurrentët potencialë dhe duke kontrolluar vlerësimet përfundimtare të fondeve.

Skema e mbyllur e projektimit dhe ekzekutimit të punimeve, së bashku me lëvizjet e shpeshta formale të pronësisë dhe administrimit, ngre pikëpyetje për transparencën dhe efektivitetin e përdorimit të parave publike. Ky rrjet, i shtrirë prej disa bashkive, po kthehet në një prej mekanizmave kryesorë të shpërndarjes së tenderave me fonde të mëdha në jug të vendit.

Çështja mbetet e hapur dhe kërkon hetim të plotë institucional, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me favorizime, konflikt interesi, apo një skemë të organizuar për kontroll dhe përvetësim të fondeve publike.

Ndaj Postimin: