Një mjek familjar rrëfeu para GJKKO-s se u thirr në mënyrë të fshehtë për të dhënë ndihmë mjekësore Nuredin Dumanit pas atentatit në Fier, ndërsa iu kërkua të mos tregonte asgjë për ngjarjen.
Në seancën e radhës për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, para trupës gjykuese ka dëshmuar mjeku që u thirr të ndihmonte Nuredin Dumanin, në atë kohë i shpallur në kërkim dhe i plagosur rëndë pas atentatit në kthesën e Cërrikut në Fier. Mjeku tregoi se kishte marrë një telefonatë nga një numër i panjohur, ku iu kërkua urgjentisht të shkonte në një banesë për të dhënë ndihmë.
Ai u shoqërua deri në vendngjarje nga një person që, sipas tij, çalonte dhe u tregua hapur se çfarëdo që do të shihte, nuk duhej t’ia transmetonte askujt. “Personi më tha qartë: ‘Ajo që sheh këtu, këtu mbaron. Mos fol jashtë’”, dëshmoi mjeku.
Sipas tij, në banesë ndodhej edhe një vajzë, ndërsa Dumani ishte plagosur dhe kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. “E pashë gjendjen dhe i thashë se duhej operuar, se nuk ishte diçka që zgjidhej në shtëpi,” tregoi ai. Megjithatë, mjeku tha se nuk e kishte kuptuar menjëherë se personi që po ndihmonte ishte pikërisht ai që kërkohej për disa atentate.
“Pamja e tij nuk përputhej me atë që kisha dëgjuar në televizor. Nuk më shkoi në mendje se ishte Dumani”, sqaroi ai para gjykatës. Por, kur u largua për të marrë makinën tek spitali, vuri re se po ndiqej. “Ishte një ndjesi presioni, sikur dikush po kontrollonte çdo lëvizje,” tha mjeku.
Dëshmia e tij pritet të jetë një ndër elementët që ndihmojnë gjykatën në ndriçimin e rrethanave pas atentatit dhe lëvizjeve të Dumanit para se ai të vendoste të bashkëpunonte me drejtësinë. Proçesi gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë” vijon me thirrjen e personave të tjerë që kanë dijeni mbi ngjarjet kriminale të viteve të fundit.


