Sali Berisha akuzon Belinda Ballukun se ka vepruar nën presion dhe thotë se shumë shpejt opozita do të protestojë para kryeministrisë për aferën e tunelit të Llogarasë.
Jashtë ambientit të Kuvendit, Sali Berisha foli sërish për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe për mesazhet që kanë dalë nga komunikimet mes zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi. Ai tha se bisedat tregojnë një gjendje presioni të vazhdueshëm, që sipas tij vjen nga lart.
“Sapo lexoni mesazhet e Lubisë, e shihni qartë se aty ka terror. Ajo i jep urdhra vartësit me një ankth të përhershëm,” u shpreh Berisha. Ai theksoi se mesazhet, sipas tij, nuk janë thjesht pjesë teknike e një çështjeje tenderash, por pasqyrojnë marrëdhënie pushteti dhe frike brenda qeverisë.
Berisha deklaroi se ky terror i brendshëm, siç e quajti ai, nuk vjen nga dëshira personale e Ballukut, por nga presioni i kryeministrit Rama. “Ajo nuk vepron vetë. Është nën porositë e Ramës. Prandaj është e detyruar të flasë dhe të veprojë kështu,” tha ai.
Ai shtoi se shumë shpejt opozita do të dalë në protesta për këtë çështje dhe se protesta do të vendoset para Kryeministrisë. Sipas tij, koha për reagim publik nuk duhet të shtyhet më.
“Të gjithë duhet ta shihni me ç’përçmim flet ajo për Ramën, por prapë është e detyruar. Ky është sistemi i terrorit brenda qeverisë,” vijoi ai, duke e quajtur situatën “të papranueshme për një vend demokratik”.
Berisha nënvizoi se tuneli i Llogarasë është bërë simbol i abuzimit, korrupsionit dhe presionit politik. Ai tha se dosja duhet të hetohet deri në fund dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Në fund të deklaratës, ai bëri thirrje për mobilizim qytetar. “Do vendosim shumë shpejt. Koha ka kaluar. Të gjithë para Kryeministrisë,” u shpreh Berisha.