Kryeministri Edi Rama përdori batuta për stereotipet mbi shqiptarët gjatë një ceremonie vlerësimi me rektorin austriak Hubert Hasenauer, duke e shoqëruar takimin me tone miqësore.
Gjatë ceremonisë së bashkëpunimit mes Universitetit BOKU të Austrisë dhe institucioneve akademike shqiptare, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalë ku nuk munguan edhe batutat e tij karakteristike.
Rama iu referua me humor stereotipeve që qarkullojnë për shqiptarët, duke thënë me ironi se “ka dalë nami që jemi të dhunshëm”. Ai shtoi se shqiptarët janë të njohur për mënyrën e fortë me të cilën shprehin lidhjen dhe afeksionin.
“Kur të duam, të duam pa kushte. Madje edhe me pahir, s’ke nga lëviz,” tha kryeministri, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Rektori i Universitetit të BOKU, Hubert Hasenauer, e priti batutën me buzëqeshje. Ai ndodhej në Tiranë për të përforcuar bashkëpunimin akademik mes dy vendeve, në fushën e arsimit dhe kërkimeve shkencore.
Në vijim të fjalës së tij, Rama u shpreh se lidhja personale dhe kulturore mes njerëzve është shpesh më e rëndësishme se protokollet dhe formalitetet.
“Do të të vijë pa marrë leje pasaporta shqiptare. Kur të ikësh nga kjo botë, nuk do të ikësh vetëm si austriak, por si austriak dhe shqiptar,” tha ai me tone gazmore.
Takimi, përveç komponenteve simbolike, synon zgjerimin e programeve të shkëmbimit akademik dhe përfshirjen e universiteteve shqiptare në projekte kërkimore ndërkombëtare.
Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Austrisë në këtë fushë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke krijuar mundësi për studentë, pedagogë dhe ekspertë të të dy vendeve.


